
Sfida e ditëve të para të janarit në Kosovë është formimi i qeverisë. Lidhja Demokratike e Kosovës do të mbledhë të hënën në orën 13.00 grupin parlamentar. Ndërkohë pasi mori kryesimin e Kuvendit, pritet për t’u parë strategjia që do të ndjekë Vetëvendosja e Albin Kurtit për të bindur LDK e Isa Mustafës për finalizimin e marrëveshjes për bashkëqeverisje.
Sipas zyrtarëve të LDK pakti është në dorë të VV-së, e cila pasi mori postin e kryeparlamentarit duhet të japë një arsye të fortë për vazhdimin e bisedimeve për koalicionin qeverisës.
Viti që sapo lamë pas u shënua nga rotacioni politik në Kosovë. Zgjedhjet erdhën pasi Ramush Haradinaj dha dorëheqjen kur u thirr nga Gjykata Speciale në Hagë, duke çuar vendin në zgjedhje të parakohshme. Sipas analistëve rezultati i 6 tetorit tregoi se qytetarët kërkojnë një qeverisje ndryshe.
Lëvizja Vetëvendosje në zgjedhjet e 6 tetorit, doli si parti fituese, e pasuar me një diferencë të vogël nga LDK, fytyra e të cilës në Fushatë ishte Vjosa Osmani. Tre partitë që deri para tetorit ishin në pushtet, PDK-AAK-Nisma si dhe AKR u votuan për në opozitë. (A2 Televizion)