Alimehmeti: Këlliçin do ta mbështes, por jo kundrejt një “shpërblimi” me një post

Nga A2 CNN
9 Dhjetor 2022, 21:47 | Politikë
Alimehmeti: Këlliçin do ta mbështes, por jo kundrejt një

Ish-kandidati i PD në Primaret për Bashkinë e Tiranës, doktor Ilir Alimehmeti, komentoi edhe ofertën e Belind Këlliçit për ta bërë atë nënkryetar, nëse ai do të zgjidhet kryetar i ardhshëm.

Sipas Alimehmetit, kjo ishte një ofertë fisnike e bujare, por ai tha se që në fillim e ka thënë dhe do ti dalë zot premtimit që ka dhënë që në fillim të garës, ku është shprehur se do të mbështesë këdo nga kandidatët që do të zgjidhet nga anëtarësia për të përfaqësuar PD në këtë garë, nëse nuk do të ishte ai vetë.

Megjithatë, sipas Alimehmetit, tani është shpejt për të folur për këtë gjë, sepse fillimisht një bashki duhet fituar e më pas duhet qeverisur, por premtoi mbështetje maksimale sa herë që do ti kërkohet.

“Kjo ishte një ofertë shumë fisnike, shumë bujare nga ana e tij, për të cilën unë kam thënë që në fillim që do ti dal zot kandidatit që do të dalë fitues, për të fituar 14 Majin. Unë nuk kam hyrë në këtë gare për një post politik, apo garë personale, por sepse jam pjesë e këtij komuniteti dhe nëse ky komunitet është mirë, unë jam mrekulli atje ku jam.

Do doja vetëm që Tirana të ecë për mirë dhe do ta bëjmë këtë duke mbështetur z. Këlliçi. Do jem për ta ndihmuar aktivisht, atje ku do ta ketë ai nevojën. Por, të flasësh për nënkryetar kur jemi 5-6 muaj nga gara, nuk është vendi. Fillimisht një bashki duhet fituar, më pas duhet qeverisur. Unë kam thënë dhe e them që do ta mbështes, por jo kundrejt një “shpërblimi” me një post. Do jem aty ta këshilloj sa herë të ketë nevojë.” (A2 Televizion)

Ilir Alimehmeti
https://a2news.com/2022/12/09/ilir-alimehmeti-demokracia-nuk-funksionon-nga-shtepia-kafja-apo-rruga-por-nga-kutia-e-votimit/

A2 CNN Livestream

Latest Videos