Nëntë mungesa për Zidane, Real Madrid ka vetëm 11 lojtarë ndaj Atalantës

Nga A2 CNN
23 Shkurt 2021, 15:06 | Futboll
Nëntë mungesa për Zidane, Real Madrid ka vetëm 11

Real Madrid në emergjencë të plotë për ndeshjen e parë me eliminimin direkt në Champions League me Atalantën. Trajneri Zinedine Zidane ka grumbulluar vetëm 19 lojtarë për duelin në Bergamo, ndërsa konfirmohet edhe mungesa e qendërsulmuesit, Karim Benzema.

Golashënuesi më i mirë i skuadrës, me 17 gola në 28 ndeshje në të gjitha aktivitetet, i shtohet listës së mungesave, me numrin e të padisponueshmëve që shkon në 9. Nga lojtarët që nuk janë gati për ndeshjen kundër skuadrës së kuqeziut Berat Gjimshiti, janë edhe kapiteni Sergio Ramos, Militao, Valverde, Marcelo, Carvajal, Odriozola, Hazard e Rodrygo.

Benzema mungoi edhe në ndeshjen e fundit të kampionatit kundër Valladolid, ndërsa kontrollet e specializuara mjekësore konfirmuan se gjendja e sulmuesit po përmirësohet, por ai nuk është ende gati dhe aktivizimi përballë Atalantës do të ishte një rrezik i panevojshëm.

Në situatën e krijuar, Zidane i ka alternativat tejet të kufizuara. Trajneri ka në dispozicion vetëm 11 futbollistë nga ekipi i parë. Pjesa tjetër e skuadrës përbëhet nga tre portierët, si edhe pesë futbollistë nga skuadra e të rinjve.

Përveç problemit të rreshtimit dhe mungesës së alternativave, Reali do të ketë edhe probleme me sulmin. Nga futbollistët që do të luajnë këtë të mërkurë, ai që ka realizuar më tepër gola është mesfushori me tipare mbrojtëse, Casemiro, i cili në rast nevoje aktivizohet edhe në qendër të repartit difensiv. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos