
Kosova dhe Serbia ende nuk kanë vulosur një marrëveshje për targat e automjeteve. Nesër përfundon afati 6-mujor i përcaktuar nga palët si periudhë negociuese për një ujdi përfundimtare, për një çështje që solli mjaft trazira në pikat kufitare të Jarinjës dhe Bërnjakut.
Analistët mendojnë se nuk ka gjasa që palët të arrijnë të pajtohen, mes frikës për një rikthim të situatës dhe tensioneve të shtatorit të kaluar. Grupet punuese mes Kosovës dhe Serbisë mblidhen sot në Bruksel në raundin e ri të bisedimeve, ndërsa nesër do të mbahet takimi në nivel kryenegociatorësh mes Besnik Bislimit dhe Petar Petkoviç.
Me marrëveshjen aktuale, të përkohshme, Kosova dhe Serbia u pajtuan që simbolet shtetërore në targat e automjeteve të mbulohen me letra të bardha gjatë qarkullimit në territoret e njëri-tjetrit. Analistët në Prishtinë sugjerojnë që reciprocieteti të jetë element thelbësor i marrëveshjes.
“Ajo marrëveshje që nuk e ka brenda reciprocitetin konsideroj se nuk do të duhej të pranohej nga pala e Kosovës. Stikersat kanë qenë zgjidhje e përkohshme deri në momentin kur Serbia e njeh Kosovën, pasi ne nuk e njohim njëra-tjetrën. Nëse arrihet të ketë reciprocitet konsideroj se marrëveshja do të jetë e suksesshme, nëse s’ka reciprocitet nuk parashoh qëndrueshmëri”, thotë analisti Gazmir Raci.
“Kosova duhet të bëjë çmos që të arrihet kjo marrëveshje sepse e para do të jetë e dobishme për qytetarët e Kosovës, do të krijojë lehtësira dhe do të ndihmojë Qeverinë e Kosovës që të dëshmohet si palë konstruktive në Bruksel. Aktualisht, ekziston një imazh se Qeveria e Kosovës po e bllokon këtë marrëveshje”, shprehet Artan Muhaxhiri.
Përpara skadimit të afatit për marrëveshje, i dërguari i Bashkimit Europian, Miroslav Lajçak, do të qëndrojë në Beograd, ku do të takohet me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, ndërsa një vizitë e tij në Prishtinë nuk është njoftuar. (A2 Televizion)