
Edhe Kosova renditet në grupin e regjimeve hibride në raportin vjetor të “Freedom House”. Ndërsa përmend përparim në qeverisjen demokratike dhe pavarësinë e gjyqësorit krahasuar me një vit më parë, raporti vlerëson se institucionet e saj mbeten të dobëta dhe korrupsioni i shfrenuar ka shkaktuar mosbesim të thellë publik ndaj Qeverisë.
“Freedom House” përmend ish-presidentin Hashim Thaçi dhe ish-kryeministrin Haradinaj, për korrupsion dhe lidhje me krimin e organizuar.
“Figura të larta politike në Kosovë, përfshirë ish-presidentin Thaçi dhe ish-kryeministrin Haradinaj, kanë lidhje me krimin e organizuar dhe korrupsionin e nivelit të lartë, të cilët luajnë role të fuqishme në politikë dhe kanë ndikuar në emërimin e udhëheqësve kyç”, shkruhet në raport.
Po ashtu, raporti thekson se gazetarët përballen me presione serioze dhe ka rrezik të sulmohen në lidhje me raportimin e tyre. Sa i takon sundimit të ligjit, thuhet se progresi pengohet nga ndërhyrja e ekzekutivit në gjyqësor.
Organizata “Freedom House” pohon se sistemi politik i Kosovës historikisht është karakterizuar me mosfunksionim dhe jostabilitet të tij dhe se qeveria e drejtuar nga kryeministri Albin Kurti, e zgjedhur në shkurt 2021, herë pas here u përpoq të zbatonte në mënyrë efektive platformën e saj të orientuar drejt reformave gjatë gjithë vitit.
Raporti veçon, gjithashtu, faktin se Serbia ende ruan ndikimin në veri të Kosovës, ku institucionet kosovare nuk kanë prezencë të fortë. (A2 Televizion)