“Nga 2022 të gjitha shërbimet online”, Rama në Shkodër: Mbyllen të gjitha sportelet. Digjitalizim edhe i Kadastrës

Nga A2 CNN
10 Dhjetor 2021, 13:00 | Politikë
“Nga 2022 të gjitha shërbimet online”, Rama në

Nga viti i ardhshëm të gjitha shërbimet ndaj qytetarëve në vendin tonë do të kalojnë online dhe nuk do të ketë më sportele. Këtë deklaroi kryeministri Edi Rama nga Shkodra, gjatë një takimi për ligjin e bashkëqeverisjen në Shkodër, duke e konsideruar këtë vendim një pikë të madhe kthese në luftën kundër korrupsionit.

“Sot kemi 95 % të shërbimeve që shteti kryen për qytetarët që i drejtohen zyrave për një dokument janë në kompjuter apo telefon shërbime të të gjitha llojeve dhe kategorive. Vetëm 5% e shërbimeve nuk janë online, për shkak se janë të lidhura domosdoshmërisht me prezencën e qytetarit. Ndërkohë që të gjitha shërbimet e jetës së përditshme janë në disponim pa pasur nevojë për të dalë nga shtëpia. Kjo bën që ne në vitin ku po hyjmë të mbyllim sportelet. Është një vendim i fortë, sepse mbase do të krijojë konfuzion, por është vendim i pashmangshëm, për të orientuar të gjithë qytetarët në sistemin e ri të shërbimeve, duke iu hequr nga kurrizi gjithë barrën e stresit, humbjes së kohës, ryshfeteve dhe atyre torturave që i dinë të gjithë. Sportelet do të mbyllen, nuk do të ketë më asnjë zyrë për të trokitur fizikisht, por me shërbimet online trokitja do të shkojë direkt aty ku duhet. Kjo është një pikë e madhe kthese në luftën kundër korrupsionit”.

Kreu i qeverisë deklaroi se me ligjin e ri do të ketë dy lloj sanksionesh ndaj punonjësve të administratës, të cilët vonojnë përgjigjet për qytetarët. Sipas Ramës, sanksionet do të jenë penale dhe financiare.

“Përveç kësaj, është dhe ligji, që për arsye apo mosarsye të Presidentit, që e ka kthyer në Kuvend, e kthen bashkëqeverisjen nga një mekanizëm, në një mekanizëm të mirë. Kjo do të thotë se kur qytetari aplikon dhe nuk i jepet përgjigje në kohë, atij i jepet e drejta të drejtohet në “Shqipëria.al” dhe të denoncojë faktin. Ligjërisht denoncimi i qytetarit shkon menjëherë në rrugën e zgjidhjes, për të gjitha rastet kur qytetari ka të drejtë dhe përgjegjësit sanksionohen. Ka dy lloj rrugësh për sanksione, ai që ka qenë aty gjithmonë, pra ndjekja penale apo administrative për ata që konstatohet se kanë penguar qytetarin me qëllim dhe sanksioni financiar. Pra, me ligjin e ri për vonesat e shkaktuara padrejtësisht ndaj qytetarit, personat përgjegjës sanksionohen financiarisht, paguajnë nga rroga e tyre dëmin që kanë shkaktuar”.

Po kështu, Rama theksoi se do të mbyllen edhe sportelet e Kadastrës dhe shërbimet do të merren nga telefoni ose me postë.

“Do të mbyllen edhe sportelet e kadastrës. Ne do t’i mbyllim sportelet, nuk do të ketë më sportele në Shqipëri, shërbimet do të merren nga telefoni, me postë, etj. Të gjithë sekserët dhe kanalet e llumit nuk do të kenë më mundësi, por nëse sot aplikon për të marrë një titull pronësie ende nuk është e mundur që përgjigjen ta marrësh online. Me digjitalizimin e Kadastrës titulli i pronësisë të vjen në telefon”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos