
Ballkani Perëndimor do të jetë në vëmendje të presidencës franceze të Bashkimit Europian. Edhe pse drejtimin e merr më 1janar, presidenti Emmanuel Macron konfirmoi për gazetarët se do të organizojë një konferencë për Ballkanin Perëndimor. Eventi mund të mbahet në muajin qershor.
Presidenti francez tha se Ballkani është më shumë se një rajon fqinj, pasi në hartë është i pozicionuar në zemër të Europës.
“Historia kthehet nganjëherë edhe në mënyrë tragjike. Prandaj sot kemi një përgjegjësi të veçantë ndaj Ballkanit Perëndimor. Atje duhet të zbatojmë politikën e angazhimit të ri, por edhe investimeve në mënyrë që të favorizojmë integrimin ekonomik të rajonit, ndihmojmë lëvizjen e njerëzve, zgjidhim çështjet e pakicave dhe luftojmë kundër ndikimeve dhe manipulimeve që janë pasojë e angazhimit të fuqive që përmes Ballkanit duan ta destabilizojnë Europën”.
Presidenca franceze e Këshillit të Bashkimit Europian do të jetë e përqendruar në tri prioritete kryesore: rimëkëmbja ekonomike, fuqizimi i kontrollit në kufij dhe ruajtja e sovranitetit.
Megjithatë nuk ka pritshmëri të mëdha për këtë 6 mujor që vjen. Kjo sepse Franca mban zgjedhjet presidenciale në mes të mandatit, gjë e cila pritet të pengojë planet e reformave në BE të kërkuara nga Macron.
Macron zbuloi prioritetet e Parisit për presidencën e radhës të bllokut 27-vendesh. Ai tha se ai donte një Evropë që është në gjendje të kontrollojë kufijtë e saj dhe do të prezantonte një reformë të zonës së lëvizjes së lirë Shengen. (A2 Televizion)