
Altin Rraklli, ish-sulmues i kombëtares shqiptare, deklaroi në “Katar 2022”, në A2 CNN, se një skuadër gjysmëfinaliste në Botëror nuk mund të pësojë gola siç pësoi sot Kroacia ndaj Argjentinës.
“Finalja është finale. Edhe Maroku nëse del në finale, Argjentina nuk do ta ketë të lehtë. Të jeni të sigurt për këtë. Plus që sot futbolli është bërë shumë i ngjeshur, edhe Argjentina sot ishte me 11 lojtarë në gjysmëfushën e vet. Ka skuadra që mbrohen shumë mirë dhe nuk është e lehtë të shënosh. Prandaj më bën përshtypje, sepse dy gola që pësoi Kroacia erdhën në qendër të mbrojtjes, me topa të gjatë. Nuk i ndodh kjo një skuadre që ka arritur në gjysmëfinale”, tha Rraklli.
I të njëjtit mendim ishte edhe Tefik Osmani: “Messi bën diçka në çdo moment, edhe kur nuk pritet. Sot, Modric u duk sikur nuk dha aq shumë, por mendoj se mbrojtja kroate ia bëri shumë të lehtë Argjentinës për të kaluar në finale”. (A2 Televizion)