1901 – Ndahen për herë të parë Çmimet Nobel. Pas negociatave të tejzgjatura, pjesërisht me qeverinë franceze, u bë e mundshme dhënia për herë të parë e 5 Çmimeve: Paqe, Fizikë, Kimi, Mjekësi, Letërsi. 1906 – Presidenti amerikan Theodore Roosevelt fiton Çmimin Nobel për Paqe, duke u bërë amerikani i parë që merr çmim Nobel. 1932 – Lindi në Sarajevë Robert Shvarc, shkrimtar dhe përkthyes hebreo-shqiptar. Emri i Robert Shvarcit prej vitesh është shndërruar në simbol të gjuhës gjermane në Shqipëri. Mjafton që të hapësh kopertinat e një serie të gjatë librash për të lexuar emrin e përkthyesit të tyre, Robert Shvarc. 1948 – Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, e mbledhur në Paris, Francë, miraton Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut. Kjo ditë kujtohet si “Dita Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut”. 1978 – Kryeministri i Izraelit Menachem Begin dhe presidenti i Egjiptit Anwar Sadat, ndajnë së bashku Çmimin Nobel për Paqe. 1990 – Plenumi Qendror i Partisë Punës së Shqipërisë merr vendimin për pluralizëm politik. 2006 – U nda nga jeta Augusto Pinochet, gjeneral i ushtrisë kiliane dhe diktator i Kilit, i cili me anë të këshillit ushtarak dhe grusht shtetit, shërbeu si gjeneral suprem dhe president i Kilit gjatë viteve 1973-1990.
Kalendari historik, 10 dhjetor. (A2 Televizion)