
Ministria e Shëndetësisë në Kosovë njoftoi se nga e hëna qytetarët mund të zgjedhin llojin e vaksinës kundër koronavirusit që duan të bëjnë
Aktualisht në Kosovë janë të vlefshme vetëm vaksinat e prodhuara nga kompanitë Pfizer/BioNTech dhe AstraZeneca.
Gjatë një deklarate për shtyp, ministri Vitia iu bëri thirrje qytetarëve që të vaksinohen pasi në vjeshtë pritet një valë e re infektimesh.
“Vjeshta duhet të na gjejë me sa më shumë qytetarë të vaksinuar. Është e vetmja mënyrë dhe me siguri se edhe nëse paraqitet një valë e re deri në vjeshtë, e që sipas ekspertëve është pothuajse e pashmangshme, vetëm të vaksinuar ruajmë shëndetin e njëri-tjetrit, shëndetin ekonomik, social, ruajmë mirëqenien tonë”, tha Vitia.
Më tej, ministri Vitia foli dhe për vaksinën e AstraZeneca që shumë njerëz hezitojnë ta marrin. Sipas tij, kjo vaksinë është miratuar nga Agjencia Evropiane e Barnave dhe Administrata amerikane për Ushqim dhe Barna. (A2 Televizion)