Çmimet e karburanteve në Shqipëri pritet të rriten. Mësohet se është mbledhur Bordi i Administrimit të Karburanteve dhe ka përcaktuar çmimet e reja, që pritet të zyrtarizohen ditën e martë dhe do të jenë në fuqi deri të enjten.
Bazuar edhe në ecurinë e bursave, ku çmimi i naftës ka pësuar rritje, karburantet pritet të shtrenjtohen edhe në vendin tonë. Mësohet paraprakisht nga operatorët e tregut, se çmimi i naftës do të jetë 221 lekë për litër, nga 203 lekë që ishte deri më sot dhe benzina 211 lekë, nga 206 që është aktualisht. Gjithsesi, vetëm të martën kur do të bëhet zyrtarizmi i çmimeve do të mësohet sesa realisht do të shiten karburantet.
Rritja e çmimit të karburanteve do të reflektojë ecurinë e bursave ndërkombëtare. Një fuçi nafte e papërpunuar kushton sot 112 dollarë. Kundrejt javës së kaluar, çmimi është rritur me 3%. Vlera më e ulët u shënua të enjten, ku nafta kapi çmimin 98 dollarë fuçia, i njëjti nivel që ka qenë përpara nisjes së luftës Rusi-Ukrainë.

Rritja e menjëhershme e çmimin të naftës me 3% në nisje të kësaj jave ngre shqetësimin për mungesën e rezervave dhe rritjen që do të reflektohet edhe në çmimin e energjisë elektrike. Mediat ndërkombëtare njoftojnë se ndërkohë që konflikti avancon, prodhuesit e naftës do ta kenë gjithmonë e më të vështirë të sigurojnë furnizimin me naftë. Ndërkohë, sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, 3 milionë fuçi nafte në ditë nga Rusia dhe produkte të tjera do të mungojnë në treg gjatë muajit prill. (A2 Televizion)