
Ministria e Brendshme në Britaninë e Madhe ka bërë të ditur se 11 shqiptarë janë kthyer me një avion çarter vetëm pak pasi kishin kaluar me gomone Kanalin e La Manshit nga Franca në Angli.
Sipas Daily Mail, 11 emigrantët shqiptarë janë kthyer në Tiranë gjatë javës së kaluar. Kur ata arritën nga Franca në Angli, u vendosën fillimisht në një ish-bazë ajrore në Manston, Kent, e cila është duke u përdorur për vendosjen e emigrantëve. Ata u dërguan me pas në aeroportin Stansted dhe me një avion çarter u kthyen në Tiranë.
Sipas Daily Mail, ky mund të jetë një moment i rëndësishëm drejt zgjidhjes së krizës së emigrantëve që kalojnë Kanalin e La Manshit, ndërsa vjen 7 javë pasi ish-sekretarja e Brendshme, Priti Patel, nënshkroi një marrëveshje historike me ministrin e Brendshëm Shqiptar, Bledi Çuçi, për riatdhesimin e emigrantëve.
Edhe pse ky projekt nuk është ratifikuar përfundimisht, sipas Daily Mail, marrëveshja me palën shqiptare është zbatuar në rastin e 11 emigrantëve të kthyer në Tiranë.
Daily Mail shkruan më tej se numri i emigrantëve shqiptarë që kalojnë Kanalin e La Manshit u rrit në fillim të verës dhe tani ata përbëjnë 60% të të gjithë emigrantëve që kalojnë në Angli nga veriu i Francës. Që prej fillimit të vitit, rreth 37 mijë emigrantë kanë kaluar në Britani me gomone, nga të cilët, sipas Daily Mail, 10 mijë janë shqiptarë. (A2 Televizion)