
Ka marrë fund pritja e emigrantëve shqiptarë që qëndronin të bllokuar prej ditësh në tokën neutrale, në doganën e Kapshticës në rrethin e Korçës.
27 prej tyre, të cilët nuk ishin rezidentë në Greqi, janë lejuar të futen në tokën shqiptare mbrëmjen e së martës, ndërsa ata që ishin me leje qëndrimi greke janë kthyer në Greqi.
Përfaqësues të Kryqit të kuq kanë asistuar emigrantët, duke i kontrolluar nga ana shëndetësore. Të gjithë personat do të qëndrojnë në karantinë për 14 ditë, në një hotel në Korçë.
Transporti dhe akomodimi dhe ushqimi i tyre në hotel është paguar nga këshilli koordinues i diasporës, pasi më herët kryeministri Rama deklaroi se ata duhej të karantinoheshin me shpenzimet e tyre.
Emigrantët do të asistohen nga ekipet mjekësore për të ndjekur ecurinë e shëndetit të tyre gjatë 14 ditëve të ardhshme, ndërsa nuk do lejohet askush që të dalë nga hoteli derisa të përfundojnë periudhën e karantinimit. (A2 Televizion)