Nga maji, situata në Shqipëri ka dalë jashtë kontrollit, mjeku Erion Dasho: Demagogji të flasësh për suksese imagjinare

Nga A2 CNN
2 Dhjetor 2020, 10:14 | Aktualitet
Nga maji, situata në Shqipëri ka dalë jashtë kontrollit,

Prej muajit maj, situata nga koronavirusi në Shqipëri ka dalë jashtë kontrollit sa i përket pandemisë. Kështu e sheh mjeku, Erion Dasho, situatën në vendin tonë, që sipas tij sa vjen dhe rëndohet me shtim të rasteve të reja dhe dyfishim të numrit të vdekjeve në javët e fundit.

“Situata është shumë e rëndë, jemi në gjendjen kur rastet sa vijnë e rriten, ka pasur dyfishim të numrit të vdekjeve. Situata sa vjen e keqësohet, numri i rasteve që testohen pozitivë flasin për një situatë shumë të rëndë”.

Sipas tij, të flasësh për suksese imagjinare, në këto kushte, është demagogji

“Në këto kushte, të flasësh për suksese unë mendoj se hyn demagogjia dhe kjo nuk ka vend në pandemi.

Merkel, në momente kritike, kur situata epidemiologjike ka qenë shqetësuese, e ka ndarë këtë shqetësim me qytetarët. E kundërta ndodh në Shqipëri kur shohim kryeministrin e ministrat që flasin për suksese imagjinare, ndërkohë që qytetarët paguajnë çmimin e testeve më të larta në Europë. Ka qytetarë që kurohen në Turqi dhe paguajnë 30-40 mijë euro për trajtim. Situata ka dalë nga kontroilli që duhet ndarë me qytetarët. Prej majit, situata nuk ka kontroll po i nënshtrohet luhatjeve sezonale të virusit. Në momentin që nuk teston një numër i madh vdekjesh që kanë humbur jetën për shkaqe teknike nuk raportohen si të tilla. Epidemia ka që në maj që nuk është nën kontroll nga autoritetet dhe kjo është shumë shqetësuese”.

Për Dashon, vetëvrasja është cenim flagrant i sigurisë së pacientit. Ai thotë se është shqetësuese që në Shqipëri ka një vetëvrasje për një mijë të shtruar, ndryshe nga SHBA kur ka 1 për 3 milionë të shtruar. Mjeku sugjeron aktivizimin e qendrës për Cilësi dhe Siguri Kombëtare, e cila është krijuar që në 2006-n nga profesor Kalo, por problemi, thekson ai, është centralizimi i përgjigjes ndaj Covid-19.

“Në Shqipëri, ka qendër të cilësisë, sigurisë dhe akreditim të institucioneve, por kjo qendër nuk është aktive. Ka pasur centralizim të përgjigjes ndaj covid-it, që është i pajustifikueshëm. Nuk ka decentralizim të përgjigjes. Covid nuk është punë heronjsh, kërkon një përgjigje sistemike. Të gjithë elementet e sistemit shëndetësor, mobilizohen, trajnohen e përfshihen në përgjigjen ndaj pacientit. Në SHBA, ka 1 vrasje për 3 milionë shtrime, por në Shqipëri në spitalet Covid është 1 me 1 mijë të shtruar. Është shifër shqetësuese që duhej analizuar. Kjo situatë, nga pikëpamja ligjore dhe e sigurisë së pacientit, nuk ka një koncept të qartë për sigurinë e pacientit. Siguria e  pacientit është cenuar. Vetëvrasja është cenim flagrant i pacienti që nuk duhet të ndodhë në institucionet spitalore”.

Mjeku, Erion Dasho, ripërsëriti edhe një herë qëndrimin e tij për vënien në funksion të spitaleve rajonale për të përballuar pandeminë. Sipas tij, pacienti i prekur nga Covid-i duhet të vizitohet nga familjarët, të pajisur me veshje e maskë, në mënyrë që të eliminohen vetëvrasjet, duke përmirësuar në këtë mënyrë qasjen ndaj shërbimit.

Sa i takon mbërritjes së vaksinës në Shqipëri, Dasho shprehet se Covax nuk garanton shpejtësi, pasi dozat e para në vend vijnë në fillim të verës.

“Shqipëria i ka varur shpresat te Covax pasi ka kosto të ulët, e domosdoshme të jetë e sigurt. Covax nuk garanton shpejtësinë, dozat e para i garanton nga fillimi i verës. Në tregun farmaceutik janë qindra vaksina në fazat e fundit të provës”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos