
U përball me deputetët për 100 ditët e para në drejtim të qeverisë. Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, mbrojti punën e ekzekutivit të tij gjatë raportimit në Kuvend duke thënë se ka rivendosur marrëdhënie të mira me Shqipërinë e vende të tjera mike, ka luftuar korrupsionin dhe ka vendosur nën kontroll pandeminë koronavirus.
“Për këtë pandemi jemi sharë shumë, sidomos në këtë Kuvend, por sot jemi bërë shembull në rajon dhe më gjerë si menaxhohet kjo situatë. Kosova është hequr nga lista e vendeve të rrezikshme dhe ata persona që i kanë shtrembëruar të dhënat sot duhet të turpërohen”, tha Hoti.
Shefi i qeverisë mbrojti qasjen e tij për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se marrëveshja historike e nënshkruar në SHBA, afron të dyja vendet drejt akordit final për normalizimin e marrëdhënieve.
“Sa i përket dialogut me Serbinë, qeveria ka pasur qasje konstruktive. Kemi bashkëpunuar ngushtë me kryediplomatin e BE-së, parimet e qarta të dialogut na kanë mundësuar të bëjmë progres në këtë proces. Ne kemi pasur takimin e 4 shtatorit në Shtëpinë e Bardhë ku në prani të presidentin, Donald Trump, kemi nënshkruar marrëveshjen për normalizim ekonomik që paraqet një hap të rëndësishëm drejt marrëveshjes finale. Ndonëse, reagimet brenda vendit kanë qenë të ashpra, ajo me të drejtë është cilësuar si marrëveshje historike që mundëson ecjen përpara ka zgjidhja përpara”, shtoi kryeministri.
Kryeministri Hoti foli edhe për rimëkëmbjen ekonomike të Kosovës në këtë periudhë të vështirë pandemie. Ai tha se qeveria ka ndarë mjete financiare për të ndihmuar sektorin privat. (A2 Televizion)