
Një person është arrestuar nga Policia e Shkodrës pasi u kap duke transportuar emigrantë të paligjshëm drejt Malit të Zi. Në mjet u gjetën 13 persona, si dhe u sekuestruan 2 aparate celulare, 22.000 lekë dhe 450 euro. Në pranga përfundoi shtetasi A. K., 66 vjeç, banues në Shkodër.
“Gjatë operacionit, në aksin rrugor Lezhë-Shkodër, në vendin e quajtur “Beltojë”, shërbimet e Policisë i kanë bërë shenjë ndalimi automjetit (furgon) me drejtues shtetasin A. K. Në këtë automjet ishin pasagjerë 13 shtetas të huaj (nga Bangladeshi dhe India), të cilët dyshohet se shtetasi A. K. i kishte marrë në Sarandë dhe po i transportonte, kundrejt pagesës, në drejtim të kufirit me Malin e Zi, me qëllim që ata të kalonin në vendet e BE-së”, tha policia.
Vijojnë veprimet hetimore për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)