
Partia Socialiste, me anë të Bora Muzhaqit, akuzoi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) se e nisi me ngërç ditën e votimeve dhe më pas hezitoi për ta zgjidhur këtë ngërç.
“Për fat të keq, kjo ditë feste e demokracisë nisi me ngërçin absurd të krijuar nga KQZ-ja, me bllokimin e votimit në shumë qendra në Shqipëri, për shkak të mosfunksionimit të pajisjeve elektronike të identifikimit. E pabesueshme që KQZ-ja të mos garantonte funksionimin e këtyre pajisjeve në çdo qendër, qysh në minutën e parë të zgjedhjeve”, tha Muzhaqi.
“Por, edhe më keq akoma ishte hezitimi i pakuptueshëm i KQZ-së për të zgjidhur këtë ngërç të krijuar nga ajo vetë, duke e vonuar me orë fillimin e votimit në qendrat e bllokuara”, shtoi Muzhaqi.
PS e quajti dështim të KQZ-së në garantimin e nisjes së votimit në çdo qendër, në orarin zyrtar. (A2 Televizion)