Ngërçi në Kosovë, Ahmeti: Kurti ra pre e të njëjtit nen që përdori për të rrëzuar qeverinë Hoti

Nga A2 CNN
22 Janar 2021, 11:06 | Kosova
Ngërçi në Kosovë, Ahmeti: Kurti ra pre e të

Vendimi i KQZ-së që i mohoi kandidimin  në zgjedhje Albin Kurtit, si person i dënuar në një hark 3-vjeçar, po merr të gjithë vëmendjen e opinionit publik kosovar.   

Sipas Arben Ahmetit, gazetar dhe drejtues i Kanal 10 në Kosovë, ngjarja paraqitet si një "reklamë dhe betejë politike e panevojshme, e implementuar për herë të parë, pas vendimit të Kushtetueses. Shohim kandidatë për president dhe kryesues listash që po sfidojnë vendimet e Gjykatës mbi idenë që vullneti i popullit është ndryshe”.

Por, cilat janë argumentet ligjore të Kurtit? “Nuk ka argument ligjor, Kurti mund t’i drejtohet Kushtetueses për interpretim, por ligji i zgjedhjeve e përcakton qartë që kandidatët e dënuar brenda 3 viteve nuk kandidojnë dot”, thotë Ahmeti për A2, dhe shton një detaj. “Mos të harrojmë që Vetëvendosje, pikërisht mbi këtë nen ndërtoi argumentin që çoi në rrëzimin e qeverisë Hoti, aty ku u aplikua ndaj deputetit Arifi. Tani Kurtit i doli si një bumerang, nga momenti që edhe ai është dënuar brenda afatit trevjeçar”. 

Sipas analistit, “VV do ta shfrytëzojë maksimalisht në fushatë vendimin, , duke viktimizuar Kurtin dhe duke kaluar linjën që të gjitha institucionet janë të kapura. Ndërkohë që, sipas mendimit tim, kemi institucione të pavarura, për shembull KQZ nuk ka pasur asnjë raport ndërkombëtar që e ka kritikuar. Kreu i KQZ, Valdete Daka, është kërcënuar, por vetëm pas këtij vendimi, sepse asnjëherë VV ka pasur problematika më parë. Betejat politike për një grusht votash nuk duhet të bëjnë kurban Dakën ose çdo institucion që operon mbi baza profesionale”.

Ndërkohë, një tjetër paradoks shfaqet në horizontin politik, teksa ligji që kufizon kandidimin e Kurtit, nuk e pengon atë të shpallet kryeministër. “Teknikisht, ligji për kryeministrin nuk ka një nen që e pengon, por partitë e tjera mund të kërkojnë interpretim nga Kushtetuesja”, shton Ahmeti. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos