Ngjarja e mistershme, Prokuroria e Durrësit pezullon hetimin për vdekjen e 4 rusëve

Nga A2 CNN
28 Maj 2023, 14:13 | Kronikë
Ngjarja e mistershme, Prokuroria e Durrësit pezullon hetimin për

Mungesa e një përgjigjeje nga autoritetet ruse të drejtësisë ka futur në ngërç hetimin në Shqipëri mbi vdekjen e 4 shtetasve rusë në rrethana misterioze në Qerret të Kavajës.

Prokuroria e Durrësit ka vendosur të pezullojë hetimin e nisur pas ngjarjes së tetorit 2021, ku 4 të huajt u gjetën të pajetë në ambiente e pishinës së mbyllur të një hoteli. Pezullimi i hetimit është vendosur për shkak të moskthimit të përgjigjes nga drejtësia ruse e letërporosive të dërguara nga pala shqiptare. Përmes tyre, Prokuroria e Durrësit kërkonte informacion për të kaluarën e 4 viktimave, si edhe për rezultatet e autopsisë së kryer në këtë vend.

Viktimat e ngjarjes ende të pazbardhur mbetën Sergei Burenkov, 60 vjeç, bashkëshortja e tij Natalia Burenkova, 58 vjeçe, vajza Ekaterina Burenkova, 31 vjeçe dhe dhëndri Nikita Belousov, 37 vjeç. Ata kishin mbërritur si turistë në Qerret dhe ditën e ngjarjes ishin kthyer në hotel pas një udhëtimi në Ohër.

Dyshimet e para si shkak i vdekjes ishte helmimi për shkak të sasisë së madhe të klorit të hedhur në pushinë, por u hetua edhe mundësia e ndonjë agjenti biologjik të jashtë, apo rrjedhje gazi. Hetimi u shtri në disa pista, edhe për shkak të faktit se Sergei Burengok, kishte shërbyer më herët si zyrtar i lartë në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Federatës Ruse.

Më vonë, ekspertiza e Institutit të Mjekësisë Ligjore doli në përfundimin se shkak i vdekjes ishte asfiksia nga monoksidi i karbonit. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2021/10/28/ende-mister-vdekja-e-ruseve-ne-qerret-prokuroria-do-te-kryeje-nje-eksperiment-hetimor-celularet-dergohen-ne-izrael/

A2 CNN Livestream

Latest Videos