
“Policia është futur në amulli manipulimi dhe prokuroria e Elbasanit është palë në manipulim dhe nuk duhet të përfshihet në hetime”. Këtë qëndrim ndau në studion e “Absolut 4”, ish- drejtuesi i lartë i Policisë Arben Hajdarmataj, lidhur me ngjarjen e Elbasanit, ku mbeti i vrarë një person dhe 4 të tjerë u plagosën. Sipas tij Policia ka detyrimin ligjor që të informojë dhe të mos lërë median, apo qytetarët që të hamendësojnë.
“Ngjarja është shumë e rëndë kemi një humbje jete dhe të plagosur. Minimumi nga informacionet që disponojmë kemi dy palë. Nuk del një punonjës policie dhe të jetë korrekt me qytetarin. Dy titullarë gjenden në vendngjarje, ka shkëmbim zjarri, autori i dyshuar largohet dhe tjetri që është shpallur në kërkim largohet dhe policia nuk bën asnjë veprim. 1001 vërejtje në koncept është komunikimi i policisë me qytetarët. Policia është futur në amulli manipulimi. Ka detyrim ligjor dhe duhet të informojë publikun dhe nuk duhet të lërë median të hamendësojë mbi ngjarjen, sepse është një lajm që dërgohet në whatsapp dhe pastaj na lë të gjithëve ne të komentojmë dhe nuk del të japë version zyrtar”.
Hajdarmataj e ka cilësuar të dyshimtë edhe deklaratën e sotme të policisë 24 orë pas ngjarjes, dhe thotë se duhet të delegohet një prokuror tjetër për hetimet, pasi prokurori i Elbasanit është vëllai i një prej kandidatëve socialistë për deputetë dhe veprimet e tij janë të njëanshme.
“Për deklaratën e sotme kam hije dyshimi shumë të mëdha në mënyrën si po trajtohet çështja, sepse prokuroria e Elbasanit është palë në manipulim nuk duhet të jetë pjesë e hetimit. Mund të delegohet një prokuror tjetër për hetimet sepse ai është vëllai i një prej kandidatëve të PS dhe kjo lë të kuptosh se veprimet janë të njëanshme dhe deklaratat e sotme. Prokurori bie në hendekun e policisë dhe thotë që është sekret hetimor”. (A2 Televizion)