
Kandidatja për deputete në Partinë Demokratike, Grida Duma, ka folur për ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e shkuar në Kavajë, ku një i ri u plagos brenda zyrës elektorale të demokratëve.
Duma tregon se ngacmimet dhe indiciet për një incident të mundshëm kanë nisur rreth një muaj më parë, ndërsa sqaron se ngjarja mund të kishte pasur pasoja fatale nëse autorit të plagosjes nuk do i kishte mbetur tyta e pistoletës në gjuajtjen e dytë.
“Janë përpjekur ta relativizojnë, por ka vetëm një titull, fytyra e humbjes. Kanë humbur. Padiskutim, askush nuk mendon se mund të futet dikush me armë në një zyrë partie dhe të godasë një 27-vjeçar. Fillimisht mendova se më ka ardhur informacioni gabim, por u nisa urgjentisht tek ai shtab.
Individi i përfshirë njihet nga kavajsit si njeriu që rri në sediljen e parë të kryetarit të Bashkisë. Ky individ rri në të njëjtën makinë me të. Ka të dhëna që një kompani që ka fituar tenderin e gjelbërimit është de facto, e tij. Këtë thonë të gjithë dëshmitarët që janë në Kavajë.
Në ngjarje kanë qenë dhe dy policë bashkiakë, bashkë me këtë individ që është në kërkim për vrasje. Shëtit i lirë dhe me kryetarin e Bashkisë. Policët bashkiakë nuk u ndodhën aty, por shkuan, dhe thirrën djalin të cilin e kanë në lagje. Kanë dashur të bëjnë takim me kryetarin e bashkisë në atë lagje, e cila njihet si lagje demokrate, janë mazhorancë. Kanë shkuar këtu e një muaj më parë për ta bezdisur dhe për të krijuar konflikte, e cila ka vazhduar me kohën. Unë e kam qetësuar ngjarjen dhe kam thënë që do vazhdojmë të bëjme ecje në çdo lagje dhe nuk ka nevojë ta cysim më tej këtë situatë, por të vazhdojmë me një normalitet dhe qetësi të plotë.
Duke e ditur që në këtë lagje janë zhvilluar takimet e PD, tendenca e këtyre kriminelevë për të bërë një takim, ka qenë nisja e ngacmimeve që duhej të mbylleshin. I ka hyrë djalit në shtab dhe i ka thënë, largoje makinën aty. Djali i ka thënë që çfarë problemi ke me mua. Ndërsa ky i ka thënë më prit këtu se do vij për 30 minuta, dhe pastaj është kthyer dhe e ka goditur me pistoletë. Fatmirësisht i ka ngecur tyta e pistoletës në gjuajtjen e dytë dhe aty janë rrahur me grushte palët që kanë qenë brenda. Policët e Bashkisë nuk janë arrestuar, por bëjnë selfie", deklaroi Duma. (A2 Televizion)