
Një krim i rëndë në familje u shënua rreth orës 14:30 minuta të ditës së sotme në Xibër të Klosit. Burime nga policia thanë se dy vëllezër, pas një konflikti të çastit, janë përplasur fizikisht e më pas sherri ka degjeneruar në përdorimin e armës.
Sipas policisë, fillimisht shtetasi Sali Dakuci ka qëlluar me armë zjarri tip pistoletë ndaj vëllait të vogël të tij Kujtim Dakuci dhe nipit Flogert Dakuci. Këta të fundit u transportuan menjëherë me një automjet privat drejt spitalit të Burrelit, por mësohet se gjatë rrugës ka humbur jetën Kujtimi, ndërsa djali i tij ndërroi jetë në qendrën spitalore të Klosit ku ishte ndaluar për të marrë ndihmën e parë.
Pas kësaj ngjarjeje, mësohet se autori Sali Dakuci, vëlla me Kujtimin dhe xhaxha i Flogertit, ka qëlluar veten në banesë duke humbur jetën menjëherë.
Ende nuk dihen rrethanat e vërteta të ngjarjes, por dyshohet se konflikti ka qenë për pronësinë. Policia dhe grupi hetimor janë në vendin e ngjarjes për të zbardhur shkaqet e vërteta që çuan në këtë tragjedi të rëndë brenda familjes. (A2 Televizion)