
Kryeministri Edi Rama, pas çeljes zyrtarisht të fushatës elektorale në Tiranë, vijoi me takime në Durrës në mbështetje të kryetares aktuale të Bashkisë Emirjana Sako, që është rikonfirmuar si kandidate e socialistëve edhe për zgjedhjet vendore të 14 majit.
Kryeministri i bëri thirrje edhe një herë bizneseve që të rrisin pagat në mënyrë që të shmangin largimin e punonjësve nga vendi.
Kreu i qeverisë tha se qyteti i Durrësit ka arritur një transformim rrënjësor dhe se do të kthehet në një nga destinacionet më të kërkuara në Mesdhe. Ai tha se vijon puna për dy portet e qytetit, po ashtu për ndërtimin e hekurudhës Tiranë-Durrës dhe projektet e ndërmarra nga bashkia.
“Potenciali i Durrësit është i jashtëzakonshëm, me investimet e reja masive që do bëjmë, Durrësit do ketë një transformim rrënjësor dhe do kthehet në një nga destinacionet më të kërkuara në Mesdhe. Kjo do të thotë se do rriten mundësitë për punë dhe jo vetëm kaq, do kenë punë më të mirëpaguara. Në Durrës janë dy porte kyçe, për të dyja këto porte jemi në proces. Me portin turistik ka filluar të vendoset baza e kantierit dhe do vijojnë intensivisht punimet. Në Porto Romano kemi një përmasë ushtarake për të krijuar një baze operacionale të NATO-s në njërin krah të portit. Kur po vija po shikoja edhe bazën e hekurudhës. Me linjën e re hekurudhore dhe me trenat e rinj që do vijnë, një tjetër infrastrukturë e rëndësishme do t’i shtohet Durrësit,. Ashtu sikur po vijojmë me punën me qeverinë e Kosovës për hekurudhën nga Durrësi drejt Kosovës që mundëson një tjetër hyrje të mallrave në të gjithë rajonin. Janë edhe projektet e bashkisë për të cilat ne komunikojmë me Anin vazhdimisht. Besoj e keni parë kantierin e shëtitores së plazhit. Po punojmë edhe me projektin e zgjerimit të rërës. Do kthehet e gjithë ajo hapësirë fantastike që ka qenë dikur kur akoma plazhi nuk ishte ngushtuar nga ndërtimet e reja”- u shpreh Rama.
Ai theksoi se një Durrësi gjatë drejtimit të kryebashkiakes Emirjona Sako është kthyer në një qytet më të pastër. Teksa përmendi disa prej projekteve të cilat janë në zbatim e sipër, kryeministri thumboi edhe dyshen Meta-Berisha, duke theksuar se pas gjithë arritjeve të shënuara, Durrësi nuk mund të kthehej mbrapa. (A2 Televizion)