Nis procesi i votimit, shqiptarët zgjedhin sot parlamentin dhe qeverinë e 4 viteve të ardhshme

Nga A2 CNN
25 Prill 2021, 07:00 | Politikë
Nis procesi i votimit, shqiptarët zgjedhin sot parlamentin dhe

Rreth 3.6 milionë qytetarë shqiptarë me të drejtë vote do të votojnë sot për të zgjedhur 140 deputetët e parlamentit të ri dhe rrjedhimisht qeverinë e re që do të drejtojë vendin për 4 vitet e ardhshme.

5199 qendra votimi në mbarë vendin do të presin shqiptarët të ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese nga ora 07:00 deri në 19:00.

Partia Socialiste kërkon një mandat të tretë rresht, diçka që nuk ka ndodhur kurrë më parë, ndërsa opozita, e përbërë nga Partia Demokratike, Lëvizja Socialiste për Integrim dhe disa parti të tjera të vogla, kërkojnë të marrin drejtimin e vendit për 4 vitet e ardhshme.

Ndryshe nga vitet e tjera, zgjedhjet e 25 prillit do të zhvillohen në kushte të ndryshme, kjo për shkak dhe të masave anti-Covid. Çdo votues duhet të jetë i pajisur me mjetet mbrojtëse, po ashtu dhe anëtarët e Qendrave të Votimit apo edhe ata të numërimit.

Në fletët e votimit janë plot 1841 kandidatë nga 12 parti, koalicione zgjedhore e kandidatë të pavarur që do të kërkojnë të marrin një vend në parlamentin me 140 ulëse.

Numrin më të madh të mandateve e ka Tirana me 36 ndërsa më të voglin Kukësi që nxjerr vetëm 3 deputetë.

Në këto zgjedhje ka një risi, ku votuesi përveç partisë apo koalicionit do të kenë mundësinë të zgjedhin dhe kandidatin e preferuar, i cili në fletën e votimit ka dhe numrin përkatës dhe jo emrin.

Gjithashtu, një zonë zgjedhore në Tiranë do të aplikojë teknologjinë ku është mundësuar identifikimi dhe votimi elektronik.

Edhe në këto zgjedhje, shqiptarët që jetojnë jashtë Shqipërisë nuk do të kenë mundësi të votojnë, me palët politike që fajësuan njëra-tjetrën për këtë mungesë.

Policia e Shtetit ka angazhuar mbi 7500 efektivë për të gjitha qendrat e votimit dhe Komisionet Zonale të Administrimit Zgjedhor në vend për këtë ditë. Sipas drejtorit të rendit dhe sigurisë publike, Ylli Vasili, në total janë trajnuar efektivë të të gjitha niveleve, më së shumti të policisë kriminale për personat e shpallur në kërkim.

ODIHR kishte parashikuar të sillte në Shqipëri 250 vëzhgues afatshkurtër, numër i cili u shkurtua për shkak të pandemisë. Masat kufizuese në shtete të ndryshme ka bërë që ODIHR të krijojë një mision vëzhgimi ndryshe nga zgjedhjet e shkuara. Në mbështetje të tyre do të shkojnë përfaqësuesit e selive diplomatike në Shqipëri. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos