Mbahen sot në Shqipëri zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, për herë të dhjetë që nga nisja e pluralizmit në vendin tonë. Partia Socialiste kërkon një mandat të tretë rresht, diçka që nuk ka ndodhur kurrë më parë, ndërsa opozita, e përbërë nga Partia Demokratike, Lëvizja Socialiste për Integrim dhe disa parti të tjera të vogla, kërkojnë të marrin drejtimin e vendit për 4 vitet e ardhshme.
Në garë janë futur edhe disa parti të reja, si Nisma Thurje, Lëvizja për Ndryshim e Jozefina Topallit dhe Bindja Demokratike e Astrit Patozit. Ndërsa Lëvizja Vetëvendosje transferohet për herë të parë nga Kosova në Shqipëri, me 3 kandidatë, por që garojnë si të pavarur.
Palët vijnë në këtë garë pasi kanë ndryshuar kodin zgjedhor, jo pa polemika. Socialistët arritën një marrëveshje në Këshillin Politik me opozitën jashtë parlamentare, por më pas miratuan në Kuvend, me votat e opozitës brenda Parlamentit, disa amendamente në Kodin Zgjedhor.
Këto zgjedhje parlamentare kanë tre risi. Dy lidhen me teknologjinë, ku për herë të parë do të bëhet identifikimi elektronik i zgjedhësve, dhe votimi e numërimi elektronik në një njësi të Tiranës. Risia e tretë është lista e hapur ku qytetarët krahas partisë, mund të shprehin preferencë edhe për një kandidatët për deputet.
Votuesit që u drejtohen sot qendrave të votimit duhet të kenë parasysh edhe masat anti-covid. Maskat, dezinfektantët dhe ruajtja e distancës janë disa prej elementëve thelbësore, ndërsa duhet të shmangen grumbullimet brenda dhe jashtë qendrave të votimit.
Policia e Shtetit ka angazhuar mbi 7500 efektivë për të gjitha qendrat e votimit dhe Komisionet Zonale të Administrimit Zgjedhor në vend për këtë ditë. Sipas drejtorit të rendit dhe sigurisë publike, Ylli Vasili, në total janë trajnuar efektivë të të gjitha niveleve, më së shumti të policisë kriminale për personat e shpallur në kërkim.
ODIHR kishte parashikuar të sillonte në Shqipëri 250 vëzhgues afatshkurtër, numër i cili u shkurtua për shkak të pandemisë. Masat kufizuese në shtete të ndryshme ka bërë që ODIHR të krijojë një mision vëzhgimi ndryshe nga zgjedhjet e shkuara. Në mbështetje të tyre do të shkojnë përfaqësuesit e selive diplomatike në Shqipëri.
Përfaqësimi gjinor në lista
Partia Socialiste ka 57 gra kandidate për deputete. Ato përbëjnë 37,25% të listës me 15 kandidatë në të 12 qarqet. Partia Demokratike ka 47 gra kandidate për deputete që përbëjnë 31,37% të listës me 15 kandidatë. Lëvizja Socialiste për Integrim ka 62 gra kandidate për deputete për zgjedhjet e 25 prillit 2021. Ato përbëjnë 40,52 për qind të listës. LSI ka kuotën më të lartë të përfaqësimit gjinor në rang kombëtar. Pas saj renditet Partia Socialiste e më pas Partia Demokratike. Pragu gjinor është tejkaluar nga të tre subjektet zgjedhore.
Përfaqësimi i të rinjve
Rreth 23% e kandidatëve për deputet për Parlamentin e Shqipërisë janë të rinj. Nga listat e dorëzuara në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Partia Socialiste ka vetëm 15 kandidatë të grupmoshës 18-29 vjeç, ose rreth 10% të totalit prej 153 kandidatësh. Në listën e Partisë Demokratike kjo përqindje është edhe me e ulët, rreth 5,2%, ose 5 kandidatë të grupmoshës 18-29 vjeç. Me më shumë të rinj në listën e kandidimit është Lëvizja Socialiste për Integrim me 22,8 %. Nga totali i kandidatëve, 35 janë të grupmoshës 18-29 vjeç.
Për të gjitha të rejat e fundit lidhur me zgjedhjet ndiqni A2 në TV, web, YouTube dhe rrjetet sociale, në një transmetim maratonë. (A2 Televizion)