Nis puna për restaurimin e kolonave të dëmtuara të Nimfeut, në Parkun Arkeologjik të Apolonisë

Nga A2 CNN
2 Korrik 2020, 16:48 | Kulturë

Ka nisur puna për restaurimin e dy kolonave të dëmtuara të Nimfeut, në Parkun Arkeologjik të Apolonisë. Specialistët e Parkut Arkeologjik të Apolonisë, në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore-IKTK, kanë nisur zbatimin e projekt-restaurimit të kolonave të Çezmës Monumentale - Nimfeut, miratuar nga Këshilli Kombëtar i Restaurimimeve, pranë Ministrisë së Kulturës.

Projekti ka si qëllim ringritjen në vertikalitet me metodën e anastilozës të kolonave të fasadës monumentale të Nimfeut.

Projekti ka filluar zbatimin më 22 qershor, së pari, me masat e sigurimit teknik dhe pastrimin e territorit, për të vijuar me fillimin e punës ndërhyrëse.

Aktualisht janë ringritur në vertikalitet të dyja kolonat e rrëzuara, duke realizuar ngjitjen e tamburëve dhe kapiteleve përkatëse.

Puna po vazhdon me pjesën e integrimit, duke realizuar mbushjen e lakunave, për të siguruar stabilitet të kolonave ( me material të rikthyeshëm).

Dy kolonat e fasadës së fontanës monumentale të Apolonisë janë dëmtuar dy muaj më parë. Ato janë gjetur të dëmtuara gjatë kontrollit nga punonjësit e Zyrës së Administrimit dhe Koordinimit të Parqeve Arkeologjike Apoloni dhe Bylis, në datën 13 prill 2020, të cilët kanë bërë denoncimin pranë Drejtorisë së Policisë Vendore, Fier, e cila menjëherë nisi punën për zbardhjen e ngjarjes.

Njëkohësisht, Zyra e Administrimit dhe Koordinimit të Parqeve Arkeologjike Apoloni dhe Bylis vuri në dijeni Ministrinë e Kulturës.

Nga inspektimi në terren u konstatua se kolonat kishin pësuar shkëputje të tamburëve nga njëri-tjetri dhe ciflosje. Zyra e Administrimit dhe Koordinimit të Parkut hartoi menjëherë një projekt restaurimi, i cili u aprovua pranë Këshillit Shkencor të Institutit të Monumenteve dhe në Këshillin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore pranë Ministrisë së Kulturës.

I gjithë zbatimi i projektit mendohet të përfundojë brenda një periudhe kohore 3-javore. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos