Nisin hetimet për zgjedhjet e 30 qershorit

Nga A2 CNN
3 Korrik 2019, 13:54 | Kronikë
Nisin hetimet për zgjedhjet e 30 qershorit

Asnjë nga subjektet politike nuk ka bërë kallëzim apo denoncim penal lidhur me procesin e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit 2019. Po ajo që mbetet ende jashtë lupës së hetimit janë materialet video të publikuara në media.

Prokuroria e Shkodrës, më 28 qershor regjistroi kallëzimin penal të ardhur nga Bashkia, e përfaqësuar nga Voltana Ademi, ndaj Policisë Shkodër, por edhe 5 kallëzime penale të referuara nga Policia në ngarkim të Voltana Ademit.

Prokuroria e Kurbinit regjistroi një procedimin penal në 1 korrik për veprën “Falsifikim i materialit zgjedhor dhe rezultateve të zgjedhjeve”. Ky procedim u regjistrua mbi bazën e referimit të Komisariatit të Policisë Kurbin, sipas të cilit Edmond Piroli, kandidat për kryetar të Bashkisë Kurbin për Partinë “Bindja Demokratike” pretendon se anëtarët e Komisionit të 2 Qendrave të Votimit në fshatin Fushë-Kuqe, kanë futur në kutitë e votimit fletë votimi dhe kanë nënshkruar në emër të votuesve, pa qenë prezent votuesit. Sipas kallëzuesit, në 2 qendrat e votimit, në ambientin privat në Fushë-Kuqe, pretendohet të kenë votuar 6 shtetas, por në kutitë e votimit janë futur dhe gjenden rreth 60 fletëvotimi në njërën kuti dhe rreth 120 fletë votimi në kutinë tjetër.

Prokuroria e Fierit regjistroi kallëzimin në 1 korrik për “Pengim të subjekteve zgjedhore” në ngarkim të shtetasve Alfred Davidhi e Klevi Berzhezha. Në materialin e referuar nga Policia pretendohet se këta shtetas i bënin presion zgjedhësve në fshatin Topojë, Fier. Prokuroria Korçë ka në fazë verifikimi deklaratën për shtyp të kryetarit të Partisë Demokratike të degës Korçë, ku përmenden regjistrime video në lidhje me parregullsi të procesit të votimit. Edhe Prokuroria e Elbasanit regjistroi më 2 korrik kallëzimin penal për veprën penale “Votimi më shumë se një herë”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos