
Këto janë pamjet e tokave bujqësore të Nënshkodrës që më shumë se 45 ditë qëndruan nën pushtetin e ujit. Sipas fermerëve të zonës, toka dhe gjithçka e mbjellë në të është e shkatërruar për të dhënë prodhim.
Tani sytë e këtyre njerëzve që sigurojnë jetesën me prodhimet bujqësore janë nga institucionet shtetërore.
Por sa parashikohen dëmet nga përmbytja e fundit në këtë zonë? Drejtori i Bujqësisë në Bashkinë e Shkodrës ende nuk ka një shifër, por nga verifikimet ajo pritet shumë herë më e lartë nga përmbytja e fundit në 2018-n.
Ndonëse vlerësimet për momentin po bëhen nga Bashkia e Shkodrës, kjo e fundit nuk i ka fondet për të realizuar dëmshpërblimin ndaj fermerëve.
E ndërsa institucionet lokale dhe ato qendrore pritet të rakordohen se kush do të pagujë faturën e dëmit, vetë fermerët nuk kanë shpresë që shteti ku paguajnë taksat do t’i dëmshpërblejë.
Nga eksperiencat e përmbytjeve të mëparshme, kryesisht pemët frutore dhe vreshtat nuk pritet të japin asnjë kokërr prodhim, që ndryshe përkthehet asnjë e ardhur për këta fermerë që kanë investuar në tokat e tyre. (A2 Televizion)