
Policia e Tiranës prangosi një 22-vjeçar ndërsa shpalli në kërkim një tjetër për vrasjen e Hekuran Billës.
Sebastian Mali, nipi i Prel Markut, vrarë nga 40-vjeçari në vitin 2006 në Angli dyshohet si i përfshirë në ekzekutimin e Billës. Hetuesit thanë se 2 automjete të tjera, veç asaj të vrasësve, që u dogj, morën pjesë si bashkëpunëtorë në zonën e Komunës së Parisit. Njëri prej tyre ka ndjekur Billën ndërsa makina tjetër ka lajmëruar vrasësit se viktima ndodhej i parkuar pranë qendrës tregtare.
Për ekzekutimin e 40-vjeçarit, i cili kishte vetëm 5 ditë që ishte kthyer nga Belgjika përmes pikës së kalimit kufitar me Malin e Zi u shpall në kërkim dhe Viktor Marku. Vëllai i Prel Markut nuk u gjend në banesë ditën e ngjarjes ndërsa familjarët e tij deklaruan se kishin kohë që nuk kishin kontakt me të.
Ndonëse kontrollet vijojnë, Policia dyshon se ai mund të jetë larguar jashtë vendit përmes kufirit të gjelbër. Hekuran Billa në vitin 2006 u dënua nga gjykata Angleze me burgim të përjetshëm. Ai ishte pjesë e një bande e cila vidhte paratë e parkimit në kasat rrugore të vendosura në Uestminster të Londrës. Rivaliteti mes grupeve dhe zonat e vjedhjes çuan në konflikt, i cili përfundoi me vrasjen e Prelës, në atë kohë 22-vjeçar. (A2 Televizion)