Fotografia më e njohur e kryeministrit të pavarësisë, Ismail Qemalit, portreti zyrtar që përfaqëson shtetin shqiptar sot në çdo zyrë, është realizuar më shumë se 107 vjet më parë, në një cilësi tjetër fotografie dhe me rezervat e një imazhi që prej vitesh ruhet edhe në Arkivën e Shtetit, diku si një imazh i shkëputur nga një gazetë, apo një kartolinë e kohës, e stampuar në një foto që shteti e ka siguruar nga familjarët, por sërish jo në formatin fillestar.
Figurën e Ismail Qemalit, që deri më tani e njohim vetëm me 30 imazhe në Drejtorinë e Arkivave, e jep një dimension tjetër Edvin Çelo, fotografi dhe njëkohësisht pedagogu i arteve që punoi me 4 foto të Ismail bej Vlorës. Ai ka skanuar dhe i ka përpunuar grafikisht imazhet, duke na siguruar një tjetër pasuri në arkivat tona, imazhin e kryeministrit të pavarësisë, por në dimensiome më të mëdha e në cilësi më të mirë.

Ekspozita në Kryeministri na rrëfen një imazh tjetër të Ismail Qemalit, që nga fotoja e parë e shkrepur në Athinë, si djalosh 23-vjeçar, apo në rrugëtimin e tij politik në Vienë.
Të digjitalizuara me rezolucion të lartë, këto fotografi pritet që së shpejti të jenë të disponueshme edhe për publikun nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave. (A2 Televizion)