"Një pendë lundruese", koncepti i ri në Kinë  

Nga A2 CNN
12 Shkurt 2023, 15:24 | Lifestyle

Një nga arkitektët më të njohur të Kinës, Ma Yansong, ka zbuluar së fundmi projektin e kompanisë së tij për një aeroport të ri në qytetin verilindor të Changchun. Sipas dizajneve të publikuara, aeroporti ngjason me një "pendë lundruese”.

E vendosur në rreth 270.000 metra katrorë, ndërtesa do të lidhet me dy terminalet ekzistuese të aeroportit, i cili nëpërmjet rrugës dhe metros del drejtpërdrejt në qendrën e qytetit Changchun. Kur të përfundojë, pritet të mirëpresë rreth 22 milionë pasagjerë në vit. Megjithatë, ende nuk ka një datë fikse se kur mund të hapet.

Në ndërtesën e terminalit do të mbizotërojë ngjyra e artë dhe ajo e bardhë. Përgjatë harqeve në tavan janë lënë disa hapësira që lejojnë dritën natyrale të depërtojë, por edhe u jep mundësinë pasagjerëve të shikojnë dhe fotografojnë avionët mbi kokat e tyre. E gjithë ndërtesa ka elemente të shumta të natyrës, si p.sh një kopsht të brendshëm me pemë e lule, një tavan prej druri nga ku varen bimë kacavjerrëse, si dhe piktura të shumta tradicionale kineze, ku mbizotëron i ashtuquajturi peizazhi "shanshui" (ose "mal dhe ujë").

Në Kinë, së fundmi, janë përfunduar shumë projekte të tilla si p.sh Aeroporti Ndërkombëtar Daxing në Pekin, i ngjashëm me një yll deti apo Aeroporti Ndërkombëtar Chengdu, forma e të cilit ngjason me një krijesë mitologjikë kineze. Qeveria vendase synon që të ketë 400 aeroporte në përdorim deri në vitin 2035, nga 241 që funksiononin deri në vitin 2020. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos