
Gjykata e Posaçme ka pushuar çështjen në ngarkim të efektivit të RENEA-s, Xhulio Lici, pas kërkesës së prokurorisë.
27-vjeçari u arrestua në maj me dy persona të tjerë, pasi iu gjetën mbi 1 kg kokainë. Ata u arrestuan në aksin Tiranë-Durrës, në rrugën e vjetër të Ndroqit, ku në makinë kishin edhe 5 celularë dhe një pistoletë. Sipas Policisë, ata blinin sasi relativisht të vogla kokaine, 1 deri në 2 kilogramë dhe e shisnin në zona të ndryshme të Tiranës, si dhe në kufi të qarkut të Durrësit, për të shmangur Policinë.
Lici u arrestua bashkë me Dedë Nimanin dhe Luan Gacin. Ky i fundit u la më pas në arrest shtëpie nga Gjykata. Në një seancë të mëparshme në Gjykatë, Nimani kishte përjashtuar nga përgjegjësia penale dy personat e tjerë, duke pretenduar se droga ishte e tij dhe se nuk njihej me ta. Në deklarimin e tij, Nimani ka pranuar se është ai i vetmi person i arrestuar në këtë operacion që është marrë me trafik të lëndëve narkotike.
Ai pretendonte se e njihte Gacin, por e kishte marrë si taksi për të shkuar te zona e Plepave, ku kishte mësuar se ishte një person që shiste drogë. Ndërsa nga ana tjetër, pretendonte se nuk e njihte fare efektivin e RENEA-s. Por pasi kishte blerë drogën, kishte ecur për disa metra në këmbë e më pas i kishte bërë shenjë të ndalonte një makinë të rastit. Me të kishte shkuar deri te zona ku po e priste Gaci. “Në momentin që kam ndaluar, shoferi ka hapur bagazhin të më jepte pakon time pa e ditur se çfarë ka në të, ndërkohë ka ndërhyrë policia dhe na ka arrestuar të gjithëve”, deklaronte Nimani në Gjykatë. (A2 Televizion)