
Një aksident i improvizuar në sheshin “Italia” në kryeqytet ishte pjesë e dekorit të një aktiviteti ndërgjegjësues në ditën botërore të përkujtimit të viktimave të trafikut rrugor. Në luftën kundër bilanceve të egra të aksidenteve rrugore në vend, apeli shtetëror është i njëjti.
“Të jenë të kujdesshëm për të shmangur çdo shkelje, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin, të mos bëjnë manovra të gabuara dhe të respektojnë këmbësorët”, këshilloi Altin Qato, drejtor i Policisë Rrugore.
Në kuadër të sigurisë rrugore, së fundmi policia po përdor mjete inteligjente, që dallojnë çdo shkelje, përfshi përdorimin e telefonit, apo mungesën e rripit të sigurimit. Por duket se policia nuk ia del dot e vetme në përballjen me pasojat e rënda të aksidenteve.
Aktivitete ndërgjegjësuese u zhvilluan edhe në Lezhë dhe në Vlorë. Sipas të dhënave zyrtare, nga viti 1992 deri në tetor të vitit 2021, në Shqipëri plot 8718 persona kanë humbur jetën si pasojë e aksidenteve rrugore. (A2 Televizion)