Konsiderohej si një nga talentet më të mëdha të zbuluar nga Sir Alex Ferguson në periudhën e artë të Manchester United, por në momentin që Luke Chadwick nisi të luante për ekipin e parë, gjithçka u shkatërrua.
Në moshën 18-vjeçare, sulmuesi i krahut debutoi me United, por menjëherë nisën talljet me pamjen e tij të jashtme nëpër emisionet televizive. Tani që është trajner i Cambridge, Chadwick kujton se sa e lëndonin fjalët e moderatorëve dhe analistëve të sportit.
“Më ulën vetëbesimin sepse flitej vetëm për fytyrën time, për asgjë tjetër nga ato që bëja në fushë. Nuk ishte e drejtë. Nuk doja të dilja nga shtëpia. Njerëzit më njihnin pasi luaja për United dhe sa herë më shihnin në rrugë, mendoja se thonin gjëra të shëmtuara për mua. Kam qenë djalë i urtë dhe e mbaja brenda trishtimin. Mendoj se kjo gjë më ka ndaluar rritjen si njeri dhe si lojtar futbolli”, tha ish-sulmuesi për BBC.
Nick Hankock, një nga moderatorët që e “thumbonte” më shumë në atë kohë, kërkoi menjëherë falje pas intervistës së Chadwick.
“Ndihem shumë në faj, ndihem përgjegjës dhe më vjen turp nga vetja. Duhet të mendoja më shumë për njeriun”, tha Hankock.
Chadwick luajti 39 ndeshje për Manchester United, duke shënuar dy gola dhe duke fituar dy tituj kampion në Premier League. Ai pranon se kur kaloi në klube më të vogla si West Ham, Stoke dhe Norwich, u ndje më mirë, pasi nuk ishte më në qendër të vëmendjes dhe nuk tallej më si në kohën e United. (A2 Televizion)