“Notë proteste Turqisë”, Vuçiç: Duan ta përjashtojnë Rusinë nga OKB që të anëtarësojnë Kosovën

Nga A2 CNN
2 Mars 2022, 20:49 | Kosova
“Notë proteste Turqisë”, Vuçiç: Duan ta

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç akuzoi bashkësinë ndërkombëtare se po përgatit një nismë e cila ka si synim përjashtimin e Rusisë nga Kombet e Bashkuara me qëllim për të përshpejtuar anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.

Pas mbledhjes së Asamblesë së OKB, ku Serbia dënoi me votë pushtimin rus në Ukrainë, Vuçiç tha se pas përjashtimit të Rusisë, do të ketë një presion dhe ndaj Kinës.

“Ata planifikojnë të thërrasin një debat për përjashtimin e Rusisë nga OKB-ja duke u bazuar në nenin 6 të Kartës së OKB-së. Pas kësaj do të ketë presion mbi Kinën për të ndryshuar Rezolutën 1244 dhe pas ndryshimit të Rezolutës 1244 nuk do të kemi bazë ligjore që të thirremi në të drejtën ndërkombëtare për të ruajtur integritetin tonë territorial, siç e kemi sot. Dhe më pas do të pasojë njohja e pavarësisë së Kosovës nga ato shtete të NATO-s dhe BE-së që ende nuk e kanë bërë këtë”, tha Vuçiç.

Presidenti i Serbisë tha gjithashtu se Ministria e Jashtme ka përgatitur një notë proteste për Turqinë, pasi sipas tij, presidenti Erdogan deklaroi se Turqia do të avokojë për anëtarësimin e Kosovës në NATO. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos