
Rusia nuk do luftë. Kështu tha presidenti rus, Vladimir Putin, pas takimit me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, në Moskë. Shefi i Kremlinit u shpreh se Moska ka parashtruar propozime për procesin e negociatave, por se nuk ka pasur reagim konstruktiv nga NATO.
“Nuk do ta pranojmë kurrë zgjerimin e NATO-s deri në kufijtë tanë”, tha Putin, duke shtuar se aleanca e ka për detyrë të mos e fuqizojë sigurinë në kurriz të vendeve të tjera. Megjithatë, ai deklaroi se përgjigjet e NATO-s dhe SHBA-së lidhur me kërkesat e Rusisë për sigurinë, përmbajnë elemente mbi të cilat Moska është e gatshme të punojë.
Pavarësisht deklaratave për paqe, Putin akuzoi Ukrainën se ka kryer gjenocid në zonat që mbahen në kontroll nga rebelët e mbështetur nga Moska, në Donbas. “Në këndvështrimin tonë, ajo që po ndodh në Donbas është gjenocid”, tha Putin në konferencë për mediat.
Putin tha se është i përgatitur të diskutojë me perëndimin, lidhur me çështje të sigurisë europiane dhe raketave. Sakaq, kancelari gjerman, Olaf Scholz, deklaroi në konferencën e përbashkët për shtyp se siguria në Europë, nuk mund të ndërtohet kundër Rusisë, por në bashkëpunim me Rusinë. (A2 Televizion)