
Kosova bën pjesë në grupin B të kualifikueseve të Botërorit së bashku me Spanjën, Suedinë, Greqinë, dhe Gjeorgjinë. Interesant është fakti se nga ky grup, vetëm Suedia e njeh Kosovën si shtet të pavarur.
Sipas mediave spanjolle, qeveria e Spanjës do të ketë shumë punë nga ana diplomatike, pasi, duke qenë se nuk e njeh Kosovën, nuk mund të lejojë që në Spanjë të shpaloset flamuri kosovar dhe të luhet himni i Kosovës. Më parë, UEFA e ka përjashtuar Spanjën U-17 nga një turne për arsye se iberikët nuk pranuan flamurin e Kosovës.
Por, Alejandro Blanco, President i Komitetit Olimpik spanjoll, shpjegoi se nuk përbën problem përballja me Kosovën, pasi rregullat e FIFA-s janë shumë të qarta: “Kosova është e pranuar në të gjitha organizmat sportivë ndërkombëtarë dhe rrjedhimisht duhen pranuar rregullat e këtyre organizmave. Himni do të luhet normalisht dhe flamuri do të shpaloset normalisht. Fakti që nuk e njohim si shtet, nuk do të thotë se nuk mund të luajmë ndaj tyre”. (A2 Televizion)