“Nuk hapet CD me bisedat në WhatsApp”, shtyhet seanca për Arbër Çekajn

Nga A2 CNN
19 Shkurt 2020, 10:56 | Kronikë
“Nuk hapet CD me bisedat në WhatsApp”, shtyhet seanca për

Seanca e radhës për një prej çështjeve më të bujshme të trafikut të lëndëve narkotike në Shqipëri u shty edhe një herë. Vendimi për ta shtyrë çështjen e Arbër Çekajt për në datën 4 mars, u mor pasi edhe një herë pala mbrojtëse nuk mundi të parashtronte argumentet e saj.

Avokati i Çekajt, Maks Haxhia, tha se kjo ka ndodhur për shkak se një prej CD-ve të vendosura në dispozicion nga akuza, ku janë regjistruar bisedat mes Çekajt dhe Donaldo Lushajt në WhatsApp nuk hapej dhe kjo e bënte ta pamundur leximin e tyre. Avokati tha gjithashtu se Prokuroria ka kërkuar 21 vite burg si dënim për Çekajn, por nuk e ka specifikuar sa vite për secilën nga akuzat.

Ndërsa vetë Çekaj, i cili kishte kërkuar në seancat e kaluara pjesëmarrjen në gjyq të përfaqësuesve të Ambasadës së SHBA dhe asaj Gjermane, tha se duke qenë se kishte jetuar në Gjermani, e kishte kërkuar praninë e tyre për shkak se gjatë kërkesës për ekstradim, shteti shqiptar ishte zotuar për një proces të drejtë, diçka që sipas tij nuk po ndodhte.

Prokuroria ka 21 vite burg për Arbër Çekajn, 16 vjet për Donaldo Lushajn dhe 13 vjet për Armando Pezakun për trafikimin e 613 kg kokainë nga Kolumbia në Shqipëri, të futur në një kontejner me banane. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos