Janë tashmë gjithmonë e më të shpeshta rastet ku nga fluksi i pashtershëm i emigrantëve që përpiqen të kalojnë në mënyrë të paligjshme kufirin tonë në drejtim të vendeve të BE-së, të përfitojnë shtetas shqiptar tashmë të organizuar në këtë trafik.
Tre raste sinjalizohen edhe ditën e sotme, në zonën e Tepelenës. Në rastin e parë, u arrestua M.C. një 42- vjeçar banues pikërisht në qytetin jugor, i cili u kap në flagrancë teksa në aksin Tepelenë-Fier, po transportuar me automjetin e tij 3 emigrantë të paligjshëm.
Ndërkohë në një operacion të ngjashëm, por në këtë rast në aksin Përmet-Tepelenë, u arrestuan dy shtetas, Y.C. 52 vjeç dhe S.M. 49 vjeç, që po transportonin me mjetet e tyre në drejtim të kryeqytetit 13 emigrantë. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dy automjet dhe 4 aparate celular. Tre personat do të procedohen me akuzën e "Ndihmës për kalim të paligjshëm të kufijve".
Ndërkohë, 2 shtetas nga Fushë Kruja u arrestuan në Skuraj të Kurbinit po me të njëjtën akuzë, teksa u ndaluan duke fshehur 19 klandestinë që po synonin kufirin me Kosovën. (A2 Televizion)