
Organizata Botërore e Shëndetësisë deklaroi se koronavirusi është në një fazë kritike, pasi prej 7 javësh bota ka parë rritje të rasteve të reja dhe vdekjeve.
“Jemi në një fazë kritike të pandemisë. Trajektorja po rritet në mënyrë dramatike”, tha Maria van Kerkhove, epidemiologe në OBSH.
Ndërkaq kreu i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, gjatë një konferencë për shtyp në Gjenevë të hënën deklaroi se veçanërisht të prekura janë disa vende në Azi dhe Lindjen e Mesme.
"Në janar dhe shkurt bota pa gjashtë javë rresht të rasteve në rënie. Tani kemi parë shtatë javë rresht të rasteve në rritje dhe katër javë të vdekjeve në rritje.”, tha ai mes të tjerash.
Sipas Tedros Adhanom Ghebreyesus, kjo situatë vijon përkundër faktit se më shumë se 780 milionë doza vaksinash janë administruar globalisht, duke shtuar se ato janë një mjet jetik dhe i fuqishëm, por nuk mjaftojnë për ta ndalur pandeminë.
Ai theksoi që masat e shëndetit publik si mbajtja e maskës, distancimi fizik, higjiena e duarve, testimi, gjurmimi dhe izolimi, ndalojnë infeksionet dhe shpëtojnë jetë. (A2 Televizion)