
Organizata Botërore e Shëndetësisë njoftoi se ka arritur një marrëveshje me amerikanen Pfizer për sigurimin e 40 milionë dozave të vaksinës kundër koronavirusit, që do të nisin të shpërndahen në vendet e varfëra e me të ardhura të mesme në kuadër të programit Covax, në muajin shkurt.
Covax ka nënshkruar marrëveshje për qindra milionë doza për imunizimin e qytetarëve në vendet më të varfëra, por deri tani asnjëra prej tyre nuk është konkretizuar. Vaksina e Pfizer është e vetmja, e aprovuar për përdorim emergjent nga OBSH.
Ghebreyesus tha në një konferencë për shtyp se ujdia e re me Pfizer do të mundësojë nisjen e vaksinimit tek punonjësit e shëndetësisë. Pritet gjithashtu, aprovimi e shpërndarja e vaksinës së Astrazenecas.
“Jam i lumtur të njoftoj se Covax ka nënshkruar ujdi me Pfizer për 40 milionë doza të vaksinës. Gjithashtu, me aprovimin e vaksinës së Oxford dhe AstraZeneca, 150 milionë doza të tjera do të jenë të disponueshme në muajt e parë të vitit.”, shprehet ai.
Këto njoftime nënkuptojnë se Covax do të fillojë me shpërndarjen e dozave në muajin shkurt. Shefi i Pfizer Albert Bourla tha se 40 milionë dozat do ti shiteshin Covax pa fitim, dhe se më shumë te tjera do të dërgoheshin në të ardhmen. Duke folur krah Gebrejesus, eskpertja e OBSH-së, Maria Van Kerkhove, tha se rritja e numrit të rasteve me Covid-19 do të shtonte barren në spitale dhe sistemin shëndetësor.
Deklarata e saj, erdhi pasi kryeministri Boris Johnson bëri të ditur se varianti anglez i koronavirusit mund të lidhej me nivel më të lartë vdekshmërie. Megjithatë, të dhënat sugjerojnë se si vaksina e Pfizer ashtu edhe e Astra Zenecas, janë të efektshme kundër tij. (A2 Televizion)