Olimpiada Dimërore, Denni Xhepa arrin objektivin

Nga A2 CNN
16 Shkurt 2022, 10:07 | Sporte të tjera
Olimpiada Dimërore, Denni Xhepa arrin objektivin

Objektivi u realizua. Denni Xhepa deklaroi se synonte të pozicionohej në 30 të parët në Lojërat Dimërore “Pekin 2022” dhe ia doli.

Ylli shqiptar i skive e mbylli në vendin e 28 konkurrimin në sllallom, me paraqitje të nivelit mjaft të kënaqshëm, përballë disa prej emrave më të mëdhenj të këtij sporti.

18-vjeçari kuqezi u pozicionua në vendin e 34-t në raundin e parë, me kohën 58 sekonda e 32 të qindtat, vetëm 4 sekonda e 4 të dhjetat larg austriakut Strolz, që e mbylli si kryesues.

Rikuperimi i Denni Xhepës nisi në raundin e dytë, duke e ulur kohën e tij me afro 4 sekonda. Në total, skiatori shqiptar e mbylli sllallomin për 1 minutë, 53 sekonda e 28 të qindtat, duke u pozicionuar në vendin e 28-të.

Skiatori kuqezi ishte më i miri për moshat deri në 21 vjeç dhe realizoi pozicionimin më të mirë të Shqipërisë në histori në një aktivitet madhor të kësaj disipline.

Medalja e artë u fitua nga francezi Clement Noel, protagonist i një ngjitjeje të shkëlqyer nga vendi i gjashtë në të parin. Austriaku Strolz u kënaq vetëm me argjendin, ndërsa medalja e bronzit u fitua nga norvegjezi Foss-Solevaag. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos