
Sali Berisha paralajmëroi se do ta presë me protestë mbërritjen në Tiranë të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në kuadër të samitit Shqipëri-Serbi-Maqedoni e Veriut: Ballkani i Hapur.
Protesta e thirrur nuk është surprizë nga Sali Berisha, nëse mbahet në vëmendje se pas përcaktimit të tij publik non grata nga SHBA-ja, ai sheh filantropin Xhorxh Soros, për shkak se ish-kryeministri denoncoi ato që i cilëson projekte të tij antishqiptare në rajon.
I tillë, sipas Berishës, është edhe ky i minishengenit që verën e këtij viti mori emrin "Open Balkan".
Por cili do të jetë qëndrimi i pjesës tjetër të Partisë Demokratike. Lulzim Basha tha se nuk ka dy PD, dhe se qëndrimet e anëtarit të thjeshtë, Sali Berisha, nuk përfaqësojnë forcën kryesore në opozitë, duke anatemuar si antiamerikane lëvizjet e tij, qoftë dhe nga oborri i selisë blu. Ai mund të protestojë edhe kundër Blinken.
Pavarësisht se Berisha ka sulmuar Bashën se nuk e ka denoncuar sa duhet aleancën Rama-Vuçiç-Zaev, kreu i PD-së ka të regjistruar të njëjtin qëndrim si lideri historik ndaj "Open Balkan".
Fundjava që kaloi ndau edhe më fort rrugët e Sali Berishës dhe të Lulzim Bashës. Me Kuvendin e 18 dhjetorit, kryedemokrati përjashtoi Berishën nga strukturat drejtuese të PD-së. Lideri historik shkarkoi Bashën si kryetar me referendumin që ratifikoi vendimin e Kuvendit të 11 dhjetorit.
Këto lëvizje ndajnë dhe aksionet politike të dy kampeve në Partinë Demokratike, një prej të cilëve është edhe protesta e Berishës të hënën kundër "Open Balkan", por edhe korrupsionit të qeverisë Rama. (A2 Televizion)