
Situata në kampin blu pas dy kuvendeve dhe referendumit për shkarkimin e Lulzim Bashës, protesta e thirrur nga Berisha kundër "Open Balkan", një marrëveshje e mundshme Basha – Berisha, dhe si do të rikthehet PD-ja në pushtet, ishin në fokus të bisedës në studion e "Dita jonë" në A2 CNN, me deputetin demokrat, Ervin Salianji.
Në këndvështrimin e tij, Salianji thotë se në kuvendin e së shtunës u vendos një standard në lidhje me përjashtimin nga strukturat drejtuese të personave të shpallur non grata, duke qenë se çdokush i referohet DASH si arbitër për ngjarje të ndryshme. Një tjetër standard, sipas tij, është edhe përfshirja e një kuote prej 10% të njerëzve që nuk janë aktivë në PD, por spikasin në profesionet e tyre.
“Ne vendosëm një standard jo vetëm për t’ia mbledhur Berishës, por që çdo person i shpallur non grata nga SHBA-ja nuk ka më punë në grupin PD, por nuk do të jetë në asnjë strukturë drejtuese. Ky standard është vendosur sepse të gjithë i referohen DASH-it dhe SHBA-së, si arbitër për të vendosur standarde për ngjarje të caktuara dhe ne e kthyem në normë statutore duke parë nga e ardhmja dhe duke futur një element tjetër në parti që është platforma për demokraci dhe aleanca qytetare që do t’i japë më shumë mundësi njerëzve që nuk janë aktivë në PD, por janë të spikatur në profesionet e tyre që do të kenë një kuotë 10%”.
I pyetur se pse nuk u vendos në statut që kryetari që humbet zgjedhjet duhet të largohet, Salianji u përgjigj se për këtë ka bonsens nga shoqëria, pasi kur konteston zgjedhjet duhet të qëndrojë. Sipas tij, PD-ja e ka pasur problem votën për shkak të Berishës, ndërsa thekson se kjo parti duhet të bëjë të pamundurën për t’u hapur, por edhe për të rikthyer të zhgënjyerit.
“Nuk rikandidon kryetari, kurse Berisha ka 30 vjet që rikandidon. Kryetari që humb një herë zgjedhjet largohet, problemi është se kur ke kontestim të zgjedhjeve qëndron për të luftuar kontestimin, PD-ja duhet të demokratizohet dhe të shkohet te vota e anëtarësisë që zgjidh situatën në çdo rast. Edhe PD-ja e ka pasur problem votën për shkak të Berishës, të gjithë të zhgënjyerit, ne duhet t'i dëgjojmë ata, por t’i bëjmë sytë 4 dhe të bëjmë të pamundur për t’i kthyer që janë zhgënjyer nga zgjedhjet 25 prillit, për shkak të atyre në foltore. Çdo vendimmarrje e gabuar është duartrokitur për shkak të atyre në foltore. Kryetari i partisë që humbet duhet të ikë, ka një bonsens shoqëria që kryetari kur humb zgjedhjet duhet të largohet, PD-ja ka shumë etapa për të kaluar. Duhet bërë hapja e PD-së, propozime e alternativa konkrete. Tani e ka marrë vëmendjen vetëm halli. Çdo inat të mos kanalizohet te përplasja që kërkon të bëjë Berisha me SHBA-në”.
Referendumin për shkarkimin e Lulzim Bashës, deputeti Salianji e konsideroi një proces të kotë, një lëvizje për interes personal të Berishës. Sipas tij, Berisha e konsideron PD-në pronë personale dhe për këtë duhet ndaluar me çdo formë. Po kështu, duhet të ndalohet edhe modeli berishist i Bashës këto 8 vite, thotë Salinaji i cili shton se mbrojtësi më i madh i Bashës ka qenë Berisha.
“Referendumi është një proces koti i bërë në qoftore, bilardo. Është qesharake shifra. Ka një lloj pakënaqësie, por të bëjmë të pamundurën që PD-ja të jetë e bashkuar, jo tek interesat e njërit apo tjetrit po tek interesat e PD-së. PD-ja nuk mund të ecë në interesat e Berishës, PD-ja është aset kombëtar, nëse e trajton si pronë personale, të palegalizuar dhe pa letra duhet ndaluar me çdo formë. Kush ka iluzion që me këtë lëvizje do të prodhojë demokraci në PD, është për të qeshur e qarë. Edhe modeli berishist që ka pasur Basha në 8 vitet e kaluara, duhet të ndalohet. Unë kam detyrim ndaj njerëzve që më kanë votuar për të thënë të vërtetën. Mbrojtësi më i madh i Bashës ka qenë Sali Berisha. Në çdo moment mbrojtësi kryesor. Por u prek interesi personal dhe kjo tregon pronësinë”.
Për Salianjin që PD-ja të rikthehet në pushtet duhet të hapet dhe të përfshijë njerëz, si edhe të ketë qarkullim elitash siç ndodh në rajon.
“Nuk ka vend në botë që një ish-drejtues të rrijë në majë të politikës 30 vite. Ajo që duhet të bëjë PD-ja është hapja reale dhe të përfshijë njerëz, kjo i mungon partive në Shqipëri, merren personazhe, shfrytëzohen për emrin e mirë dhe pastaj nuk përfshihen. Nuk janë garancitë në letër”.
Ai mohoi një marrëveshje në letër mes Bashës dhe Berishës dhe u shpreh se kjo marrëveshje duhet bërë me ata që janë të zhgënjyer:
“Duhet bërë marrëveshje me këdo që është i zhgënjyer, por të bëjmë marrëveshje për të bërë luftë me SHBA-në, shoqëria shqiptare ka njerëz dhe jo për këta që kanë 30 vjet. Ka nevojë për hapje, gjithë rajoni e ka bërë qarkullimin e elitës, vetëm këtu të njëjtët, ndërkohë që shoqëria prodhon elita”.
Protestën e thirrur sot nga Berisha kundër "Open Balkan", Salianji e quajti jo legjitime dhe tha se bëhet për interes personal.
“Këto nuk janë protesta, por lëvizje për të krijuar dhe mbajtur tollovinë duke qenë se nuk pati ndonjë trofe, nuk ndodhi të marrë partinë dhe del me këto trofe. Çdo protestë për hall personal nuk ka legjitimitetin e duhur. Të gjitha ndodhin në politikë, por ajo që nuk ma merrte mendja është që Berisha donte ta mbante PD-në si mbrojtëse për interesin e vet." (A2 Televizion)