
Policia ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Furtuna”, duke sekuestruar pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme me vlerë të përllogaritur 12 milionë euro, të cilat sipas policisë, janë të përfituara nga veprimtaria kriminale në fushën e trafikimit të drogave të forta.
Operacioni është zhvilluar nga strukturat hetimore të Drejtorisë Për Krimin Ekonomik e Financiar në Departamentin e Policisë Kriminale seksioni i Fierit, në bashkëpunim me Agjencinë e Menaxhimit të Aseteve të Sekuestruara e Konfiskuara, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier.
Sipas policisë, pasuritë i përkasin shtetasit A. Sh., banues në Fier. Ky shtetas më datë 20 qershor 2017 u arrestua në flagrancë së bashku me shtetasin grek Th. K., pasi u kapën në Greqi me 20 kg kokainë, me vlerë të përafërt tregu rreth 800 000 euro.
Policia thotë se, ata merreshin me importimin, magazinimin, përzierjen, falsifikimin, ricertifikimin, trafikimin, transportimin dhe shpërndarjen e kokainës nga vende të Amerikës Latine.
Menjëherë pas arrestimit në Greqi dhe shkëmbimit të informacionit me palën greke, Policia e Shtetit me iniciativë nisi hetimet proaktive ndaj shtetasit A. Sh., për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale”.
Pas investigimeve për pastrim parash dhe gjurmimit të pasurive të shtetasit A. Sh. dhe personave të lidhur me të, Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në DVP Fier e referoi rastin në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, e cila regjistroi procedimin penal nr. 1371/2017.
Këto pasuri përfshijnë:
• 3 shoqëri dhe konkretisht shoqëri ndërtimi e tregtimi gazi në Fier, Durrës, Tiranë, Korçë etj.
• 1 hotel trekatësh në Fier dhe një njësi shërbimi bashkëngjitur;
• 2 vila trekatëshe;
• 5 njësi shërbimi me sipërfaqe 7 982 m2;
• 3 apartamente banimi;
• 4 garazhe me sipërfaqe prej 1 092 m2, në Fier, Tiranë, Durrës;
• 8 793 m2 tokë, në Tiranë, Durrës, Fier;
• 20 000 euro në llogaritë bankare; • Një automjet me vlerë 40 000 euro;
(A2 Televizion)