
Drejtoria për Hetimin e Krimit Ekonomik, nën drejtimin e Prokurorisë Durrës, pas një pune disa mujore gjurmuan dhe sekuestruan pasuri, të cilat dyshohen se rrjedhin nga veprimtaria kriminale, vlera e të cilave arrin në 750 000 euro.
Në kuadër të operacionit, “Dentisti”, u sekuestruan disa pasuri që dyshohet se janë përfitur nga aktiviteti kriminal i shtetasit italian F. M., 56 vjeç, i dënuar me 8 vite burg në Itali, si pjesë e konflikteve mes klaneve kriminale dhe porositës i një vrasje.
Shtetasi italian F. M. ishte me leje qëndrimi në Shqipëri dhe ushtronte disa aktivitete tregtare me objekt prodhimin dhe tregtimin e medikamenteve dhe pajisjeve dentare, me 50 % të aksioneve në pronësi të tij. Një shoqëri prodhimi dhe tregtimi të pajisjeve mjekësore-kirurgjikale për larje dhe dezinfektim ambientesh dhe shoqërinë me objekt laboratore dentare.
Prokuroria e Napolit konfirmoi se shtetasi italian F. M., 56 vjeç, banues në lagjen nr. 13, në Durrës, është i dënuar nga autoritetet e drejtësisë italiane, si pjesë e klaneve kamorriste në zonën e Napolit.
Pas një pune disa mujore, Gjykata e Durrësit miratoi kërkesën e prokurorisë dhe vendosi sekuestron preventive për pasuritë e F.M. që përfshijnë apartamente banimi, me sipërfaqe 413.8 m2 në Durrës, 13 garazhe, 1 automjet me vlerë 40 000 Euro dhe një llogari bankare 10 mijë euro. (A2 Televizion)