
Policia e Shtetit ka dhënë detaje nga operacioni ndërkombëtar antidrogë i zhvilluar në Itali, Shqipëri dhe Gjermani, ku si rezultat janë arrestuar edhe 27 shqiptarë, pjesë e një grupi që trafikonin dhe shisnin lëndë narkotike në Itali.
Nga 55 të arrestuar në total, në Shqipëri janë arrestuar 5 persona, të gjithë banues në Vlorë, të cilët do të ekstradohen drejt Italisë.
Të arrestuarit në Shqipëri:
Albano Juzaj, 25 vjeç,
Dionis Moskaj, 23 vjeç,
Ersild Nelaj, 27 vjeç,
Rezart Elmazaj, 31 vjeç
Zeqir Aliaj, 25 vjeç
Policia e Shtetit thotë se ndaj tyre rëndon akuza nga Gjykata e Romës për “Organizatë kriminale me qëllim trafikun e narkotikëve”.
“Këta shtetas, në bashkëpunim me pjesëtarët e tjerë të organizatës kriminale, dyshohen se nga data 01.06.2018 deri më 21.01.2019, kanë marrë pjesë në role të ndryshme në një organizatë kriminale, me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike (marijuanë) nga Shqipëria në drejtim të Italisë dhe vendeve të tjera të Evropës”, thotë Policia.
Hetimet kanë nisur në vitin 2018 dhe rezultoi se shqiptarët ishin krerët e grupit ndërsa nigerianët, shpërndarësit. Sipas hetimeve, dyshohet se lënda narkotike sigurohej në Vlorë dhe transportohej në Itali. (A2 Televizion)