Opinioni final për Metën, "Venecia" zbut gjuhën për veprimet e Presidentit

Nga A2 CNN
11 Tetor 2019, 11:58 | Politikë

Komisioni i Venecias miraton opinionin në lidhje me çështjen e shkarkimit të Presidentit Meta.

Pavarësisht se ka ndryshuar vetëm pak, raporti është shumë i zbutur në thelb. Është hequr fare fjalia “Presidenti tejkaloi kompetencat kushtetuese në anulimin dhe më pas shtyrjen e datës së zgjedhjeve” dhe i lihet Kuvendit e Gjykatës Kushtetuese ta përcaktojë nëse është shkelje apo jo. Ky ndryshim është bërë në nenin 99.

Ndërsa në nenin 101, ku flet për mungesën e bazës ligjore për veprimet e Presidentit, sërish ndryshon terminologjinë dhe e quan kërkesën për shkarkimin e Metës se mund të mos përmbushë kriteret e mjaftueshme dhe serioze për ta konkretizuar. Sërish, për shkeljen e Presidentit përdoret fjala “mund”. Ndaj, ndryshimi nuk mund të quhet i papërfillshëm.

https://a2news.com/2019/10/11/kreu-i-komisionit-te-venecias-keni-shume-konflikte-politike-zgjidhini-me-dialog/

“Edhe pse Presidenti mund të ketë tejkaluar kompetencat duke shtyrë zgjedhjet vendore, nisja e procedurave të shkarkimit mund të mos jetë e justifikuar.

Ekspertët e Komisionit të Venecias dalin në përfundimin se, pavarësisht se Presidenti mund të ketë vepruar në tejkalim të fuqive të veta Kushtetuese, ka indikacione se veprimet e tij mund të mos kenë qenë të një natyre të atillë sa të justifikojnë nisjen e procedurave të shkarkimit.

Në opinionin e miratuar sot, që është kërkuar nga Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, Komisioni i Venecias vëren se Presidenti i Shqipërisë nuk mund të anulojë zgjedhjet pa konsensus politik. Edhe në rast të një gjendjeje të jashtëzakonshme, si luftë apo katastrofë natyrore, Parlamenti duhet të miratojë një ligj të posaçëm për të shtyrë zgjedhjet.

Si kundërpërgjigje ndaj krizës politike në vend dhe bojkotit nga disa parti politike kryesore, Presidenti në fillim i anuloi zgjedhjet e më pas i shtyu ato. Pavarësisht se Parlamenti vendos se Presidenti tejkaloi kompetencat e tij, Komisioni i Venecias ka dyshime nëse këto ishin të atilla sa të konsideroheshin “shkelje të rënda”.

Ekspertët nënvijëzojnë thirrjen e Presidentit për dialog dhe pritshmërinë se shtyrja e zgjedhjeve do të kishte kontribuar në arritjen e një kompromisi mes partive. Ata theksojnë mungesën e ankimimit të dekreteve të Presidentit në Gjykatë.

Për më tepër, zgjedhjet vendore nuk kanë të njëjtin status kushtetutshmërie si zgjedhjet parlamentare. Ekspertët thonë që, pavarësisht se Parlamenti do të vendose se shkeljet ishin të rënda, kjo nuk do të duhet të sillte domosdoshmërish nisjen e procedurave të shkarkimit, duke marrë në konsideratë objektiva të tjerë kushtetues, si ruajtja e balancave dhe stabiliteti i vendit. Nëse Parlamenti vendos pro shkarkimit do t’i takojë Gjykatës Kushtetuese që të konfirmojë nëse vendimet e Presidentit përbëjnë shkelje aq “të rënda” sa për të justifikuar shkarkimin e tij”

Përmbledhje e Komisionit të Venecias
https://youtu.be/vdz3pkLuplo

Kreu i Komisionit: Keni shumë konflikte politike, zgjidhini me dialog

Kreu i Komisionit te Venecias, Gianni Buquicchio, në një intervistë për A2, i bëri apel politikës që konfliktet e saj t'i zgjidhë përmes dialogut. Kjo duket se ishte formula e propozuar prej tij edhe për sa i përket konfliktit mes mazhorancës dhe Presidentit Meta. (Intervista ekskluzive)

Shkarkimi i Metës, Balla: Venecia rikonfirmoi se Meta shkeli Kushtetutën

Sipas Taulant Ballës, Komisioni i Venecias rikonfirmoi se presidenti nuk respektoi Kushtetutën dhe ligjin me dekretin për të anuluar ditën e zgjedhjeve.

Balla tha se, sipas tij, Komisioni i Venecias ka konfirmuar gjetjet e socialistëve dhe se presidenti shkeli kushtetutën dhe cenoi të drejtën për të zgjedhur dhe i mbetet Komisionit Hetimor të vlerësojë nëse jemi në kushtet për shkarkimin e kreut të shtetit. (Intervista e plotë)

Presidenca: Kreu i shtetit respektoi kushtetutën

Ndërsa, shefi i kabinetit të Presidentit Arben Cici, shprehu edhe njëherë tjetër qëndrimin e këtij institucioni përkundrejt pretendimit të mazhorancës për shkarkimin e kreut të shtetit. “Mund t’ju them që Presidenti i Komisionit të Venecias dhe disa nga reporterët shprehën keqardhjen e madhe që opinioni që iu dërgua palëve disa ditë më parë, u bë publik. Kështu që edhe kjo mbledhje ishte shumë konfidenciale”, tha Cici. “Institucioni i Presidentit erdhi këtu për t’u treguar jo vetëm opinionit publik, por edhe anëtarëve të Komisionit të Venecias, që Presidenti i Republikës nuk ka shkelur asnjë nen të Kushtetutës së Shqipërisë”.

https://youtu.be/Pd577F-vOdY

Bushkaj: Tani i takon Parlamentit të vendosë për shkarkimin e Metës

Deputetja e Partisë Socialiste Klotilda Bushkaj tha pas miratimit të raportit paraprak i takon Parlamentit shqiptar të vendosë nëse shkeljet e Presidentit janë të rënda mjaftueshëm për ta shkarkuar atë.

“Sapo është miratuar opinioni i Komisionit të Venecias i cili mban të njëjtat qëndrime si në opinionin e parë. Ka disa riformulime, risaktësime termash, por në thelb qëndron i njëjti reagim që patëm më parë, pra që vlerësohet çështja e parimeve demokratike në vend që është shumë e rëndësishme për sa i takon faktit që e drejta e zgjedhjeve duhet të respektohet dhe bojkoti i partive politike nuk përbën një çështje për të mos mbajtur zgjedhjet”, tha ajo.

“Çështja e shkeljeve kushtetuese analizohet në opinion dhe është në kompetencën e komisionit parlamentar të parlamentit për të vlerësuar rëndësinë e këtyre veprimeve. Vazhdon mbahet qëndrimi që ndërhyrja në të drejtën e zgjedhjeve, në mungesë të parashikimeve ligjore, përbën një ndërhyrje jo proporcionale. Në cilësinë e komisionit hetimor, komisioni i është drejtuar me një ekspertizë për çështjen e standardeve, ky do të jetë një nga dokumentet shumë të rëndësishëm që do t’i shërbejë komisionit në punën e vet”.

(A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos