
Partia Demokratike, e grupimit të Sali Berishës ka kërkuar, këtë të enjte, ndryshim të Rendit të Ditës të Seancës Plenare, duke përfshirë një mocion me debat për Raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit.
Megjithatë, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i kujtoi opozitës rregulloren dhe se kërkesa duhej të ishte nisur paraprakisht. Më pas, brenda tri ditësh do të mblidhet Konferenca e Kryetarëve për të vendosur një datë kur mund të mbahet mocioni me debat.
Ndërsa theksoi se shumica qeverisëse është gati që të bëjë debat për raportin e DASH për Shqipërinë, Balla shtoi se debate mund të zhvillohen edhe për shpalljen “non grata” të Sali Berishës.
“Edhe ne kemi kohë që duam të flasim për shumë gjetje të DASH. Shpallja non grata e një prej anëtarëve të Kuvendit dhe këto janë çështje që duhen diskutuar. S’kemi çfarë të votojmë. Nuk ka ardhur kërkesë, për mocion me debat.”
Balla i kujtoi po ashtu opozitës që kërkoi mocion me debat për çështjen McGonigal, por salla “përfundoi bosh, vetëm me deputetët e mazhorancës.”
“Jemi të gatshëm të diskutojmë çdo gjë. Edhe vendimin e DASH. Kur nuk na pëlqen Blinken e çojmë në gjykatë në Paris, kur na pëlqen, e marrim një fjali nga raporti dhe e përdorim.”
Sa i përket kërkesës së opozitës, kryeparlamentarja Lindita Nikolla përsëriti të njëjtin qëndrim se kërkesa duhej të ishte depozituar paraprakisht dhe të shqyrtohej në Konferencën e Kryetarëve. (A2 Televizion)