Ahmetaj në SPAK, socialistët i mbyllin dyert ish-zëvendëskryeministrit

Nga A2 CNN
22 Mars 2023, 13:45 | Politikë
Ahmetaj në SPAK, socialistët i mbyllin dyert

Arben Ahmetaj është nën hetim nga SPAK. Ish-zëvendëskryeministri dhe një prej njerëzve më të rëndësishëm të qeverisë Rama në 10 vitet e fundit, duket se tani do të ketë një llogari të hapur me drejtësinë shqiptare. Pas disa muajsh verifikimesh, Gjykata e Posaçme e ka regjistruar emrin e Ahmetajt si person nën hetim, ndërsa mbi të rëndojnë 4 akuza: shpërdorim detyre, korrupsion, fshehje të ardhurave dhe pastrim i parave.

Emri i Ahmetajt është lakuar gjatë vitin e fundit, si një prej njerëzve të përfshirë në çështjen e inceneratorëve, e padyshim edhe lidhjet e tij me biznesmenët Klodian Zoto dhe Mirel Mertiri, që mbajnë emrat e tyre në bizneset e plehrave. Vetë Ahmetaj i ka mohuar akuzat që e lidhnin atë me biznesmenët, edhe nga denoncimet e bëra në media, por shumë herë ai është parë të udhëtojnë me ta.

Pas hetimit parlamentar për çështjen e inceneratorëve, mbi Ahmetajn filloi të krijohej edhe një kontrast politik. Kryeministri Rama ia hoqi spaletat e zv/kryeministrit duke e spostuar nga qeveria, ashtu sikundër edhe në përfshirjen e tij politikisht për socialistët në bazë.

Në mes të muajit të shkuar në një program televiziv kreu i qeverisë e la në dorë të drejtësisë ish-ministrin e tij besnik, ndërkohë që një javë më pas, në një përgjigje majë më majë po në një program televiziv, Ahmetaj la të nënkuptohet se marrëdhënia e tij me kryeministrin është thyer përfundimisht.

Vetëm 24 orë më parë, emri i ish-zëvendëskryeministrit është në SPAK, me 4 padi në ngarkim. Tani mbetet për t’u parë çfarë ndodh pas kësaj me ish-zëvendëskryeministrin. A do të ketë ai fatin e kolegëve të tij, Tahiri dhe Koka? Deri ku do të shkojë drejtësia në hetimin e saj? (A2 Televizion)

https://a2news.com/video/cfare-u-gjet-ne-banesa-detaje-nga-kontrolli-i-bkh-ne-shtepite-e-ish-gruas-dhe-partneres-se-ahmetajt/
https://a2news.com/2023/03/21/ish-zv-kryeministri-arben-ahmetaj-nen-hetim-nga-spak/

A2 CNN Livestream

Latest Videos